3 orë vonesë si pasojë e rëndimit të shëndetit të Fatmir Metës kanë paraprirë fillimin e seancës së sotme gjyqësore të dosjes Hajdari. Sjellja me vonesë nga komisariati i Krujës të të pandehurit Isamedin Haxhia, ka provokuar një krizë shëndetësore për të pandehurin tjetër Fatmir Meta i cili nuk ka rezistuar dot dhe është dërguar në spitalin e burgut pa nisur ende seanca. Në seancën e sotme ishin vetëm dy vëllezërit ku ishte parashikuar për parashtrimin e provave nga avokatët mbrojtës.

Avokati Agim Gishtica i cili sot mbrojti 3 vëllezërit Haxhia duke përfshirë dhe Izetin i cili gykohet në mungesë, tha se shumë prova nuk janë paraqitur për njohje nga akuza dhe kërkoi që të mos lihen nga gjykata. Por, kërkesa e tij u hodh poshtë nga grupi i prokurorve duke arsyetuar se avokatët janë lutuar nga ata që të njihen, por asnjë nuk është paraqitur për të mësuar rreth kasetave filmike apo provave të tjera shkresore.

Përsa i përket dëshmitarit kryesor të çeshtjes Jaho Mulosmani i cili u gjykua në mungesë, problemet e mbrojtjes së tij nuk kanë fund. Pas refuzimit të Pëllumb Zaimit, Dhoma e Avokatit të Tiranës caktoi Pëllumb Kakanaqen i cili ishte i pranishëm sot në sallë, por pas një konsultimi të shkurtër të grupeve të prokurorëve dhe gjyqtarit Arben Micko, Kakanaqe nuk u vendos si avokati i Mulosmanit pasi ka qenë avokati i Astrit Mondakes dhe si pasojë caktohet me urdhër gjykate Pëllumb Zaimi. Seanca tjetër do të zhvillohet më 18 prill./tvklan.al

Gazetar: Eduart Frangaj