Liderët perëndimor u rreshtuan krah Joe Biden në samitin e NATO-s, në një kohë kur shqetësimet për moshën e presidentit amerikan dhe aftësia e tij për të shërbyer një mandat të dytë, po vijnë gjithnjë e në rritje

Thirrjet ndaj Biden që të tërhiqet nga gara presidenciale e Nëntorit po shtohen çdo ditë e më shumë dhe tentativat e tij për të zbutur këto shqetësime në samit, u shënjuan nga dy gafa serioze.

Presidenti francez Emmanuel Macron tha se Biden ishte ‘në krye të detyrës’ dhe ‘i qartë për çështjet që i njeh mirë’, ndërsa kryeministri britanik, Sir Keir Starmer tha se ai ishte ‘në top formë’.

Por gafa e parë e Biden, ku ai prezantoi liderin ukrainas Volodymyr Zelensky si presidentin Putin, u përqesh në mediat ruse.

Në një konferencë të mëvonshme për mediat, Biden, në daljen e parë pa një fjalim të parapërgatitur që prej debatit publik me Trump, iu referua zëvendëses së tij si ‘Trump’, kur në të vërtetë donte të thoshte Kamala Harris.

Presidenti amerikan është vënë nën presion për t’u tërhequr nga gara, që prej performancës së dobët dy javë më parë me rivalin republikan në zgjedhjet e ardhshme, Donald Trump.

Megjithatë përgjatë samitit të mbajtur në Washington, liderë të tjerë të NATO-s e kanë mbrojtur atë dhe aftësinë e tij për të drejtuar.

Duke folur pas darkës të së enjtes në Shtëpinë e Bardhë, Macron tha se kishte pasur një diskutim të gjatë me Biden dhe apeloi për mirëkuptim.

“E pashë si gjithmonë, një president që është në krye të detyrës, i qartë rreth çështjeve që i njeh mirë. Të gjithëve na rrëshqet goja ndonjëherë. Më ka ndodhur edhe mua në të shkuarën dhe me gjasë do më ndodhë sërish nesër”, tha Macron.

Edhe Kancelari gjerman Olaf Scholz e pati një koment: “U ndodh të gjithëve t’u rrëshqasë gjuha dhe nëse monitoroni gjithnjë këdo, do të gjeni mjaftueshëm raste”.

Kryeministri britanik përsëriti gjatë gjithë kohës gjatë samitit se presidenti amerikan kishte arritur mjaftueshëm për të qenë krenar dhe se “ishte i kujdesshëm ndaj detajeve”.

Kryeministri kanadez, Justin Trudeau tha se kishte qenë privilegj dhe kënaqësi të punonte me Biden.

“Eksperienca e madhe, përkujdesja dhe vendosmëria në çështje dhe sfidat e mëdha të kohëve në të cilat jetojmë janë tregues për punën që po bëjmë të gjithë së bashku”.

Presidenti polak Andrzej Duda, i konsideruar si i afërt me ish-Presidentin Trump, tha: “Bisedova me presidentin Biden dhe nuk ka dyshime se gjithçka është ok”.

Ndërsa presidenti finlandez, Alexander Stubb kombinoi mbrojtjen ndaj Biden me frikën për atmosferën e zgjedhjeve amerikane.

“Nuk kam asnjëlloj shqetësimi për aftësinë e presidentit aktual të SHBA për të drejtuar vendin e tij dhe për të drejtuar luftën tonë për Ukrainën dhe për të drejtuar NATO-n”, tha ai.

“E vetmja gjë që më shqetëson është se klima politike në SHBA aktualisht është shumë toksike, shumë e polarizuar dhe kjo nuk le vend për një debat të civilizuar dhe konstruktiv”.

Megjithatë jo të gjithë liderët ishin të përgatitur për t’u rreshtuar krah Biden, shkruan BBC.  

Kryeministri hungarez Viktor Orbán nuk bëri thuajse asnjë koment për mediat në Washington. Ai u largua menjëherë pas përfundimit të samitit për në Mar-a-Lago, në rezidencën e Trump në Florida, ku biseduan për luftën në Ukrainë.

“Diskutuam mënyrat për të bërë paqe. Lajmi i mirë i ditës është se ai do ta zgjidhë”, shkruajti Orbán në rrjetet sociale.

Teksa liderët e vendeve aleate nuk kanë dashur të kritikojnë presidentin amerikan, Moska zyrtare ka treguar vetëpërmbajtje.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se gafat ishin dukshëm ‘rrëshqitje e gjuhës’ dhe se ‘nuk është çështje që na takon, është çështje e brendshme e SHBA’.

E kundërta ndodhi me mediat ruse.

Vasalët e Amerikës pretenduan se nuk vunë re asgjë”, komentoi Rossiya TV, duke iu referuar gafës së Biden kur ngatërroi Zelenskin me Putin.

NTV tha se Biden nuk kishte qenë kurrë më pranë katastrofës dhe se “rrëshqitja e fundit e gjuhës është e denjë për Oscar”.

“Çfarë është më e rrezikshme, një majmun me granatë, apo një shtrëngim duash në një buton bërthamor”. Kështu shkruante e përditshmja ruse Moskovsky Komsomolets në artikullin e saj ku e krahasonte Biden me liderët në moshë të ish-Bashkimit Sovjetik./tvklan.al