Të afërmit e disa ushtarakëve amerikanë të rënë në krye të detyrës shprehën të dielën mbështetjen për ish-Presidentin Donald Trump, pas kritikave se ndihmës të tij fotografuan dhe filmuan në një zonë të kufizuar të Varrezave Kombëtare të Arlingtonit javën e kaluar. Zërave kritikë iu bashkua edhe Nënpresidentja Kamala Harris, e cila kandidon për presidente në emër të demokratëve. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Veronica Balderas Iglesias, zonja Harris e quajti vizitën e ish-Presidentit Trump në varreza, “një manovër politike”.

Kandidatja demokrate për presidente, Kamala Harris, iu bashkua kritikave ndaj ekipit elektoral të ish-Presidentit Trump për filmimet javën e kaluar gjatë vizitës së tij në seksionin 60 të Varrezave Kombëtare të Arlingtonit. Aktivitetet politike ndalohen rreptësisht nga ligji federal dhe rregulloret e Pentagonit.

Nënpresidentja Harris e trajtoi çështjen me një mesazh të shtunën në rrjetin X, ku shkruante se “ish-presidenti shpërfilli tokën e shenjtë, gjithçka për hir të një manovre politike”.

Kandidati republikan për president, Donald Trump, përsëriti të shtunën argumentin se ishte i ftuar nga të afërmit e ushtarakëve që u vranë nga një sulm terrorist gjatë tërheqjes nga Afganistani në vitin 2021.

“Megjithëse nuk e kisha menduar, ma kërkuan nëse mund të bënim një fotografi tek guri i varrit i djemve të rënë. Thashë absolutisht që po. Mua nuk më nevojitet publiciteti. Kam me tepri”, tha ish-Presidenti Trump.

Ekipi i tij elektoral publikoi të shtunën një deklaratë dhe mesazhe filmike nga disa prej familjeve të ushtarakëve të rënë, në mbështetje të vizitës së tij.

Senatori republikan Lindsey Graham u pyet në kanalin televiziv ABC nëse mendon se ekipi elektoral i ish-Presidentit Trump kaloi vijën e kuqe.

“Jam në favor të shqyrtimit të ngjarjes. Por, ajo që është fatkeqësi është se familjeve iu desh të vizitonin të rënët në Arlington, për shkak të paaftësisë së administratës Biden… Terrorizmi në rritje, kombinuar me problemet në kufi – një tjetër 11 shtator po na vjen”, tha Senatori republikan Lindsey Graham.

Për sa i përket sigurimit të kufirit, vizioni i Nënpresidentes Harris do të ishte më i efektshmi, tha guvernatori i Kolorados, Jared Polis. Ai u pyet nëse kjo do të përfshinte ngritjen e murit në kufi dhe si dallon kjo nga përqasja e ish-Presidentit Trump.

“Muri kufitar që ka propozuar Donald Trump-i është shpërdorim dhe humbje e madhe e parave të taksapaguesve. Ai ka folur për një mur përgjatë gjithë kufirit dhe jo për përdorimin me efektshmëri të pengesave të llojeve të ndryshme. Kamala Harris dëshiron ta sigurojë kufirin me mënyrën më efikase të mundshme”, tha guvernatori Polis.

Nënpresidentja Harris vazhdon fushatën të hënën me aktivitete në Miçigan dhe Pensilvani. Të martën, ekipi i saj elektoral do të fillojë nga Florida turneun e lëvizjes me autobus nëpër Shtetet e Bashkuara, me tematikën “Të luftojmë për Lirinë e Riprodhimit”.

Ekipi elektoral Trump-Vance do të ketë aktivitete të martën në Xhorxhia dhe në Arizona.

/VOA