Numri një i botës, Jannik Sinner shkarkoi trajnerin dhe fizioterapistin e tij pasi i shpëtoi një penaliteti për doping, edhe pse dështoi në dy teste në muajin Mars.

Tenisti italian rezultoi pozitiv për steroidin clostebol, që mund të përdoret për të ndërtuar masë muskulore, pasi mjeku i tij, Giacomo Naldi aplikoi një spray pa recetë në një të çarë të dorës së tij përpara se të kryente mjekim të specializuar.

Fituesi i “Australian Open” u konsiderua i pafajshëm për akuzën e neglizhencës, me gjykatësit e Agjencisë Ndërkombëtare të Tenisit që pranuan shpjegimin tij se ai ishte kontaminuar pa dashje me substancën nga Naldi.

Testet pozitive të dopingut u bënë publike më 20 Gusht, një ditë pasi italiani fitoi titullin e tij të pestë të vitit në Cincinnati Open.

“Naldi dhe Ferrara kanë qenë pjesë e rëndësishme e karrierës sime. Kemi bërë një punë të mrekullueshme, duke arritur shumë suksese, me një ekip profesionistësh pas meje. Tani, për shkak të këtyre gabimeve, nuk e kam më besimin e dikurshëm të vazhdoj me ta. Kam vuajtur jo pak në muajt e fundit. por po prisja rezultatin. E vetmja gjë që dua tani, është pak ajër të pastër”, tha ai.

Rasti i Sinner ka krijuar debate të mëdha duke marrë parasysh faktin se tenistë të tjerë që kanë dështuar në testet e dopingut zakonisht janë pezulluar gjatë hetimit.

Por numri 1 i botës shpjegoi se ai është i pafajshëm dhe se mundi  të luante vetëm se skuadra e tij e identifikoi shpejt arsyen e kontaminimit.

Klan News