Oficerët elitë të policisë gjermane bastisën mbrëmjen e kësaj të shtune një qendër azilkërkuesish, pas sulmit të ndodhur një natë më parë në Solingen. Sipas asaj që shkruan BILD, një person u vu në pranga. Momentalisht nuk dihet nëse ai është autori i masakrës me 3 të vrarë e 8 të plagosur.

Qendra në fjalë ndodhet rreth 300 metra nga Fronhof, vendi ku ndodhi sulmi dhe 150 metra larg vendit ku oficerët gjetën thikën e përdorur në krim.

Pikërisht gjetja e thikës i çoi oficerët në këtë vend. Policia u udhëhoq drejt qendrës së azilkërkuesve nga një qen gjurmues. Kur mbërritën pranë ndërtesës, ata e rrethuan dhe u futën brenda rreth orës 20:18 të mbrëmjes.

Gjatë mëngjesit në pranga u vu një 15-vjeçar, si person që kishte dijeni për sulmin përpara se të ndodhte.

Ndërkohë, më herët, përgjegjësinë për sulmin e ndodhur në festivalin që mbahej me rastin e 650-vjetorit të themelimit të qytetit industrial Solingen, e mori i ashtuquajturi Shteti Islamik.

Në një deklaratë të publikuar në Amaq, kanalin e lajmeve të grupit terrorist, thuhej: “Autori në tubimin e krishterë në qytetin Solingen në Gjermani dje ishte një ushtar i Shtetit Islamik. Ai e kreu aktin në shenjë hakmarrjeje për “myslimanët në Palestinë”.

Lidhur me këtë pretendim eksperti i terrorizmit Peter Neumann tha për BILD: “Pretendimet e ISIS për Amaq janë 95 përqind të besueshme. Vetëm në disa raste ato kanë rezultuar të rreme. Si rregull, do të ketë edhe sulme të tjera. 12 orët e ardhshme do të jenë shumë domethënëse”.

Po sipas ekspertëve, kjo është hera e parë që ISIS merr përgjegjësinë për një sulm në Gjermani që nga viti 2016. Në atë kohë, terroristi Anis Amri u fut me kamion në tregun e Krishtlindjeve në Berlin, duke i marrë jetën 13 personave./tvklan.al