Policia Ndërkombëtare në Kosovë u ka ofruar mbrojtje shumë kandidatëve që po bëjnë fushatë për zgjedhjet e përgjithshme lokale të 28 tetorit. Më shumë se 200 kandidatë, shumica nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ajo e Ibrahim Rugovës, kanë bërë kërkesë për mbrojtje gjatë fushatës elektorale pranë Policisë Ndërkombëtare. Pas kësaj, autoritetet kanë hartuar një plan për vlerësimin e shkallës së kërcënimit të politikanëve dhe kandidatëve për kryetar bashkish dhe komunash.

Në kategorinë e rrezikut të lartë janë futur 16 kandidatë, tre prej të cilëve janë pajisur dhe me leje për mbajtje armësh personale. Me gjithë këto masa, fushata zgjedhore e Kosovës është konsideruar e qetë dhe demokratike. Shefi i OSBE-së në Kosovë Dan Everts, deklaroi se megjithë disa shkelje të vogla, fushata zgjedhore ka qenë e qetë. Ai tha se 90% e votuesve kanë deklaruar se do të marrin pjesë në zgjedhje.

Një shqetësim i madh i shprehur këto ditë nga shqiptarët është ai rreth vendimit të autoriteteve ndërkombëtare për të mos lejuar valëvitjen e flamurit kombëtar shqiptar në qendrat e votimit. Zyrtarët e OSBE thanë se e kuptojnë shqetësimin e shqiptarëve, por thonë se ato janë duke u përpjekur që të bindin udhëheqësit politikë se ky vendim është në interesin e vetë Kosovës. Sipas Rolan Bles, rreth 1500 mbikqyrës ndërkombëtarë do të vëzhgojnë zgjedhjet në Kosovë./tvklan.al

Gazetare: Ornela Bego