Situatë e qetë pas përmbytjeve në Kosovë


Situatë e qetë pas përmbytjeve në Kosovë

12:13 21/01/2023

Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës, ka njoftuar më 21 janar se pas ndaljes së reshjeve të shiut, situatë është e qetë, teksa shtoi se po bëhen intervenime të ndryshme në zona të caktuara.

Si pasojë e shirave të rrëmbyeshëm të nisura më 19 janar, disa qytete në Kosovë janë përballur me vërshime. Nga vërshimet më të prekura janë komunat: Skënderaj, Mitrovicë e Jugut dhe Istog.
Vërshimet kanë duke dëmtuar ekonomi familjare, biznese, kultura bujqësore dhe infrastrukturën rrugore.

Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave, sipas MBP-së, është duke vazhduar angazhimin me pompa për largimin e ujit në shtëpitë dhe në zonat ku ka pasur përmbytje nga vërshimet.

“Aktualisht po intervenohet edhe në infrastrukturën e prekur nga vërshimet në mënyrë që shërbimet dhe qarkullimi për qytetarët të normalizohet. Në fokus vazhdojnë të jenë kërkesat dhe nevojat e familjeve që janë evakuuar dy ditët e fundit”, thuhet në njoftimin e MBP-së.

Qendra Operative Emergjente e Ministrisë së Punëve të Brendshme thuhet se do të vazhdojë koordinimin ndër-institucional me qëllim të reagimit në rastet e nevojshme dhe ndaj kërkesave të mundshme që do i pranojë nga komunat dhe nga qytetarët.

Instituti Hidrometerologjik i Kosovës më 20 janar ka njoftuar se situata e përgjithshme hidrometeorologjike në pjesën më të madhe të vendit, ditëve të fundit është përkeqësuar, si pasojë e reshjeve intensive të shiut.

Sipas Institutit reshjet e shiut me intensitet të ndryshuar, pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vazhdim deri më 25 janar.

Shirat e rrëmbyeshëm shkaktojnë shpesh vërshime në Kosovë.

Vlerësohet se dëmtimi i shtretërve të lumenjve, si pasojë e nxjerrjeve të paligjshme të zhavorrit, kontribuon shumë në përmbytjen e zonave./REL









Të ngjashme