Forcat zjarrfikëse në luftë me flakët në jug të vendit.

Zjarri që nisi të hënën në fshatin Frashtan të Dropullit ka marrë përmasa të mëdha duke kaluar edhe në territorin e bashkisë Finiq. Vatra e zjarrit ka djegur sipërfaqe të mëdha me pyje e kullota e duke u ndihmuar nga era u përhapën në qafën e Muzinës duke u afruar drejt Syrit të Kaltër.

Në terren janë forca të shumta zjarrfikëse nga qarku i Gjirokastrës, Saranda dhe Delvina. Në ndihmë u kanë shkuar edhe ushtria ndërsa është ndërhyrë edhe nga ajri me helikopter

Flakët janë përhapur në zonë të banuar duke rrezikuar edhe banesa në fshatin Kardhikaq.

Ndërkohë është aktivizuar një tjetër vatër zjarri në Grapsh të Dropullit. Flakët kanë përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme ndërsa janë përhapur edhe me ndihmën e erës. Nisur nga kjo situatë u bllokua aksi nacional Gjirokastër-Kakavijë pasi tymi vështirësonte lëvizjen e mjeteve.

Ndërkohë në Frashtan aty ku nisi zjarri të hënën, flakët janë vënë nën kontroll. Në lidhje me këtë rast policia ka vënë në pranga autorin e dyshuar të zjarrvënies. Blutë njoftojnë se është arrestuar 39-vjeçari Manol Kokolli banues në këtë fshat.

Ndërkohë ka reaguar ministri i brendshëm Taulant Balla. Teksa falenderon frocat zjarrfikëse për aksionin, ai paralajmëron të gjithë personat që ndezin zjarr duke shkaktuar pasoja se do të përballen me ligjin.

Klan News