Në spitalin e Tetovës nuk ka më vende të lira

Situata me pandeminë e shkaktuar nga virusi Korona në Maqedoninë e Veriut vazhdon të jetë serioze.

Nga fillimi i javës që po lëmë pas janë regjistruar thuajshe çdo ditë mijëra raste të reja ku nga e hëna deri në ditën e djeshme janë shënuar 5860 infektime të reja.

Në këtë periudhë, përveç numrit të lart të rasteve të reja, i larë ishte edhe numri i vdekjeve, gjatë javës u regjistruan 101 viktima.

Sipas analizës së Ministrisë së Shëndetësisë, numri më i madh i të infektuarve me koronavirus të shtruar në spital dhe të vdekur, nuk kishin marrë asnjë vaksinë.

Përqindjet e të pavaksinuarve variojnë nga 85 përqind në rastet aktive deri në 92 përqind në vdekje.

Nga 9,881 të infektuar rishtas në periudhën nga 6 gusht deri në dje, 8,374 nuk ishin të vaksinuar dhe 1,507 persona ose 15 përqind ishin plotësisht të vaksinuar, domethënë i kishin marrë të dyja dozat e vaksinës.

Autoritetet e Shëndetësisë njoftojnë se mbi pesë mijë qytetarë të cilët janë pozitiv apo të dyshuar me Covid-19 janë në izolim.

Spitalet vazhdojnë të mbushen me shpejtësi ndërsa qendrat covid brenda klinikave pritet të hapen së shpejti.

Situata është kritike në Qendrën Klinike në Tetovë ku janë të shtruar 130 pacientë dhe nuk ka vende të lira, ndërsa 88 të shtruar janë në Gostivar dhe 80 në Kumanovë.

Në qytetet e tjera numri i pacientëve varion nga 18 në 38 persona të shtruar. Ajo që është shqetësuese është se shumë prej tyre janë me mbështetjen e oksigjenit.

Mjeku Igor Nikollov nga Komisioni i Shëndetësisë në VMRO-DPMNE thotë se në këtë valë të katërt të coronavirusit, ai dhe kolegët e tij nuk shohin qartësisht se cili është plani.

“Ndalohen pushimet e kolegëve dhe personelit mjekësor që nuk ka pushuar për dy vite dhe nëse ishin të gatshme ekipet, nëse ishin të përgatitura rotacionet kjo duhej të planifikohej dhe të mos ketë ndalesë në atë se çfarë po ndodh. Por për fat të keq, ndjesia e përgjithshme është se po hymë në diçka, ndoshta më të përgatitur, por jo edhe aq sa duhet për shkak të ndjesisë së mosorganizimit dhe planit jo të mirë”, tha Nikollov.

Nërkaq, procesi i vaksinimit masiv vazhdon dhe pothuajse gjysmë milioni qytetarë janë rivaksinuar plotësisht.

Klan Macedonia