Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Pas deklaratës së OSBE-së, se nuk ishte koha e përshtatshme, që qeveria të miratonte një ndarje të re territoriale, PS ka ftuar opozitën të bashkojnë ekspertët, për të hartuar një projekt të pranueshëm për ndarjen e re. Për këtë qëllim është mbledhur në selinë qendrore të socialistëve komisioni për pushtetin vendor, ku është përkrahur ideja e qeverisë, për një ndarje të re, por gjithashtu u kërkua arritja e konsensusit me demokratët.

Elmaz Sherifi:- “Ne mendojmë se duhet bërë një ndarje e re administrative territoriale, por ajo duhet të bëhet mbi bazën e disa kritereve shkencore dhe ne do të ftojmë edhe PD dhe të gjitha forcat e tjera politike, të përfshihemi në këtë proces, me qëllim që t’i japim një kontribut, nëpërmjet ekspertëve tanë, për të ndikuar, që organet që kanë kompetencë, nismën ligjvënëse për ndarjen administrative, të paraqesin një projekt, i cili do t’i shërbejë komunitetit dhe jo partive politike”.

Sipas deputetit socialist Elmaz Sherifi, demokratët nuk duhet ta konsiderojnë projektin e qeverisë, për ndarjen administrative si një proces politik. Për të kaluar në parlament projektligji për ndarjen administrative territoriale, kërkohen 84 vota./tvklan.al

Gazetare – Elona Meço