Lajme Arkiva 2003

Mbledhja e kryesisë së Partisë Socialiste është lënë ditën e premte ku përveç çështjeve jo shumë të rëndësishme të përfshira në rendin e ditës, pritet të bëhen edhe të gjitha ballafaqimet mes Nanos dhe Metës, të cilat vijnë menjëherë pas letrës së këtij të fundit dërguar kryeministrit.

Pjesa dërmuese, përfshirë edhe sekretarin e përgjithshëm të Partisë Socialiste Gramoz Ruçi, mendojnë se do ta kalojnë qetësisht këtë debat, prej të cilët mendohet se nuk vjen përçarje e Partisë Socialiste.

Debati parashikohet të jetë i vështirë, megjithëse ka përkrahës të problemeve që zoti Meta ka ngritur në këtë letër.

Makbule Çeço: Për letrën unë do të thoja që zoti Meta mund t’i kishte trajtuar problemet e qeverisjes drejtpërdrejtë me zotin Nano sepse unë qeverinë do ta quaja Nano-Meta. Nano është kryeministër, zoti Meta është zëvendës kryeministri. Nano është kryetari i partisë ndërsa Meta është anëtarë i kryesisë së partisë. Unë do të thoja se do të ishte e mirë zgjidhja e rrugës së bisedimeve nëpërmjet tyre, të zgjidhen mundësitë sepse zoti Meta ka mundësi ti shprehë mendimet e tij edhe në strukturat drejtuese të partisë, por edhe në mbledhje të qeverisë.

Anëtari i kryesisë Dizdari kërkon të respektohet letra e zëvendës kryeministrit, të bëhet analizë mbi të dhe të dali n përgjegjësitë politike, shembulli konkret për të janë emërimet e kryera.

Limos Dizdari: Janë anashkaluar edhe strukturat politke, janë anashkaluar edhe njerëzit aktiv e dinamik të jetës politike të partisë socialiste. Nëse ai është një specialist shumë i mirë dhe është burrë i zoti unë s’kam si ta parashikoj, por pyetja e parë që shtrohet, a kishim ne brenda strukturave tona politike njerëz kaq të aftë? Nëse përgjigjja është po, atëherë përse u anashkalua?

Edhe nga mbështetësit e Metës, ndonëse kjo letër me shqetësime nuk sjell përçarje në Partinë Socialiste.

Mustafa Muçi: Ky është një proces tërësisht normal, është një proces i cili kërkon fillimin e një diskutimi në rrugë institucionale. Njerëzit të cilët kërkojnë që ta paraqesin letrën e zëvendës kryeministrit ose shqetësimet e paraqitura në të si konflikt, kërkojnë që patjetër të shmangin vëmendjen nga problemet me të cilat ballafaqohet vendi, nga problemet të cilat janë pasqyruar në letër, duke treguar që edhe ky qëndrim i zëvendës kryeministrit është vazhdimësi e luftës së mëparshme politike brenda PS-së.

Në dukje socialistët mundohen të japin një pamje të qetë, kriza mund të jetë ashtu si edhe dy vite më parë, mbi të cilën është bërë një marrëveshje për ta ngrirë, aktualisht ajo quhet e ngrirë, por jo e zgjidhur.