Koalicioni shqiptar kundër korrupsiont i është drejtuar Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit të Pasurive që në mënyrë urgjente të ushtrojë kompetencat ligjore për të thirrur në një ballafaqim publik politikanët e lartë duke përfshirë edhe kryeministrin Fatos Nano me qëllim që të verifikojnë deklaratat e tyre të pasurisë e në mënyrë të veçantë dhuratat. Sipas kryetarit të Zyrës për Mbrojtjen e Qytetarëve Kreshnik Spahiu, hetimi i dhuratave me vlerë të lartë parashikohet edhe me ligj.

Kreshnik Spahiu: “Çdo dhuratë e një vlere të lartë duhet t’i nënshtrohet hetimit, shqyrtimit dhe ballafaqimit të fakteve nëse ajo është dhënë si dhuratë apo është dhënë si shpërblim për ndonjë favor të mundshëm që mund të kenë kryer politikanët. Ka mungesë sinqeriteti të plotë nga shumë politikanë të lartë shqiptarë në deklarimin e pasurisë së tyre dhe nuk mund të kuptojmë hezitimin e Inspektoriatit të Lartë të Këshillit, të Deklarimit të Pasurive, i cili është i paaftë në raport me gazetarët dhe me median të cilët kanë zbuluar shumë fakte dhe të dhëna të dyshimta në lidhje me vërtetësinë e këtyre deklarimeve.”

Pas ballafaqimit me inspektoriatin, nëse dyshohet për të dhëna që nuk hedhin dritë mbi realitetin e politikanëve, Spahiu shprehet se duhet t’i drejtohemi më pas prokurorisë që të hetojmë mbi vërtetësinë e këtyre deklaratave. /tvklan.al