Ish-kryebashkiaku i Lushnjës, Fatos Tushe, rrezikon sërish të kthehet në qeli. Prokuroria e Posaçme kërkoi këtë të premte shpalljen e tij fajtor për fshehje të pasurisë dhe dënimin me 1 vit e 5 muaj burg.

Për shkak të gjykimit të shkurtuar, nëse gjendet fajtor sipas kërkesës së SPAK, ai do të përfitojë ulje dënimi dhe do të vuajë 1 vit heqje lirie.

Nëpërmjet avokatit Dritan Trifka, Tushe kundërshtoi masën e dënimit, si të rëndë dhe argumentoi para Gjykatës se SPAK për raste të ngjashme ka mbajtur qëndrim më të butë.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, ish-zyrtari ka fshehur një apartament në Vlorë, në zonën e Lungomares, një hua të marrë nga një shtetas në vitin 2020 si dhe 2 makina të llojit Mercedes Benz, në vlerën totale 46,9 mijë Euro.

Fatos Tushe, bashkë me disa ish-zyrtarë të tjerë në Bashkinë Lushnjë u përgjuan për disa muaj nga SPAK dhe në bazë të atij hetimi ata u dënuan për shpërdorim detyre dhe nderhyrje në tendera që rezultuan të ishin paracaktuar.

Ish-kryebashkiaku u dënua nga Gjykata e Posaçme e Apelit në 2023 me 3 vite e 4 muaj burg, dënim i cili është shlyer prej tij disa muaj më parë.

Tv Klan