7 vite e 4 muaj burg dënim kërkoi Prokuroria e Posaçme për ish-policin Dedan Gjoni, të cilin e akuzon se ka bashkëpunuar me një grup kriminal për realizimin e një atentati në qytetin e Durrësit.

Për shkak të gjykimit me procedurë të shkurtuar, ish-shefi i krimeve në Komisariatin nr. 6 në rast se do të gjendet fajtor, do të përfitojë ulje të dënimit.

19 vite e 8 muaj burg kërkoi SPAK për 3 të akuzuarit e tjerë në këtë dosje, masën më të lartë të dënimin për Rexhep Rapin, i njohur edhe me emrin Kep Arapi.

Ky i fundit në bashkëpunim me nipin e tij, Algert Rapi dhe shtetasin Dejvi Gjermeni sipas Prokurorisë së Posaçme kanë tentuar të vrasin shtetasin Xhevdet Plaku.

Vrasja e Plakut sipas planit të grupit kriminal do të kryhej sapo ai të dilte nga Drejtoria e Policisë, ku e kishte shoqëruar Dedan Gjoni.

Ish-efektivi komunikonte me Dejvi Gjermenin të cilin e informonte për kohën se kur do të lirohej në mënyrë që të vihej në dijeni Algert Rapi.

Vrasja e planifikuar në 17 Shtator 2019, nuk u realizua sipas dosjes hetimor pasi Gjermeni u tërhoq nga bashkëpunimi nga frika se mund të zbuloheshin.

I njëjti grup kishte tentuar thotë SPAK edhe herë të tjerë të kryente vrasjen për shkak të hakmarrjes.

Tv Klan