Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur arrest shtëpie për kryetarin e Bashkisë së Tropojës Rexhë Byberi dhe nënkryetarin Abedin Kërrnaja. Ata akuzohen për shpërdorim detyre në lidhje me zbatimin e vendimeve të Këshillit Bashkiak për ndërtimin e rrugës “Stacioni i Anijes Palç – Guri i Lules” me gjatësi 3.2 kilometra.

Hetimi ka nisur fillimisht nga Prokuroria e Kukësit dhe ajo e Tropojës më 9 Gusht 2021 për veprat penale shpërdorim detyre, prerje e paligjshme e pyjeve dhe shkatërrim i pronës. Më 12 Shtator 2023, këto dy procedime janë bashkuar në një të vetëm dhe çështja më pas i kaloi SPAK-ut si autoriteti kompetent për të hetuar zyrtarët e lartë.

Nga hetimet e deritanishme, SPAK thotë se deri në këtë fazë të hetimit ekzistojnë dyshime të arsyeshme se Rexhë Byberi në bashkëpunim me Abedin Kërrnaja, ka kryer veprime ose mosveprime që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës gjatë procesit të për hapjen e rrugëve sipas projekteve të miratuara nga Këshilli Bashkiak.

Gjatë hetimeve, SPAK urdhëroi kryerjen e aktit të ekspertimit teknik-topografik, nga ku rezultoi se hapja e rrugëve sipas projekteve të miratuara nga Këshilli Bashkiak është bërë në kundërshtim me aktet ligjore e nënligjore në fuqi duke sjellë një dëm prej 277. 611.520 Lekë.

Prokuroria e Posaçme argumenton se punimet për ndërtimin e rrugës janë bërë në kundërshtim me aktet ligjore dhe nënligjore, për të cilat kompania e interesuar për ndërtimin e segmentit duhej të aplikonte në sistemin elektronik e-leje pranë Bashkisë Tropojë, si institucion vendor që ka tagrin të shqyrtojë dhe miratojë lejen e ndërtimit të infrastrukturës.

Gjithashtu, Bashkia Tropojë duhej të bashkëvepronte me institucionet e tjera kompetente për ndërtimin e rrugës, të tilla si Agjencia Kombëtare e Mjedisit, për nevojën e hartimit të Raportit  të Vlerësimit të ndikimit në mjedis, të bashkëvepronte me Ministrinë e Linjës (parashikuar në sistemin elektronik e-leje) për impaktin e ndërtimit të rrugës së re dhe pasojat e këtyre punimeve të ndërtimit.

Për këtë arsye, ndaj kryetarit dhe nënkryetarit të Bashkisë së Tropojës është vendosur nga GJKKO arrest në shtëpi.

Nuk ka ende informacion nëse masat e sigurisë për dy zyrtarët të jenë ekzekutuar, pra të jenë vënë nën arrest.


Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka rregjistruar procedimin penal nr. 1 të vitit 2024, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”“Prerja e paligjshme e pyjeve” dhe “Shkatërrimi i pronës” parashikuar nga nenet 248, 205 dhe 150 të Kodit Penal, mbi bazën e akteve të procedimit penal me nr. 131 viti 2021 që janë dërguar për kompetencë nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, të rregjistruara prej saj në datën 09.08.2021, për elementët dyshues të veprave penale për subjekte për të cilat janë kompetencë e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Nga aktet rezulton se, me datë 09.08.2021, Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tropojë, ka regjistruar procedimin penal Nr.131 viti 2021 për veprën penale të “Shkatërrimi i pronës” i parashikuar nga neni 150 i Kodit Penal. Gjithashtu Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tropojë ka rregjistruar procedimin penal nr. 27 i vitit 2023 për veprën penale të “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Prerja e paligjshme e pyjeve” parashikuar nga neni 248 dhe 205 të Kodit Penal.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës ka regjistruar procedimin penal nr. 444 të vitit 2023 për veprën penale të “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Prerja e paligjshme e pyjeve” parashikuar nga neni 248 dhe 205 të Kodit Penal. Me vendimin e datës 12.09.2023, është vendosur  bashkimi e këtyre procedimeve të vetëm me nr.131 të vitit 2021 për veprën penale të “Shpërdorimi i detyrës”“Prerja e paligjshme e pyjeve” dhe “Shkatërrimi i pronës” parashikuar nga nenet 248, 205 dhe 150 të Kodit Penal. 

Në tërësi nga veprimet procedurale të kryera deri në këtë fazë të hetimit ekzistojnë dyshime të arsyeshme se shtetasi Rexhe Byberi, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Tropojë në bashkëpunim me shtetasin Abedin Kërrnaja me detyrë zv/kryetar i Bashkisë Tropojë, ka kryer veprime/mosveprime që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, të kryera në kundërshtim me nenin 11 Nr. 408, datë 13.5.2015 “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit”, gjatë procesit të për hapjen e rrugëve sipas projekteve të miratuara nga Këshilli Bashkiak:

  1. Vendim i Këshillit Bashkiak Nr. 34 datë 30.03.2021 Për miratimin në parim të projekt idesë së rrugës “Stacioni i Anijes Palç- Guri i Lules”, nga ku rezulton se është miratuar në parim Projekt ideja për ndërtimin e rrugës auto “Stacioni i Anijes Palç- Guri i Lules”, me një gjatësi 3.2km, totalisht ndërtim i ri i cili 80% të kësaj gjatësie kalon nëpër rrugën këmbësore ekzistuese.
  2. Vendim i Prefektit të Qarkut Kukës me Nr. 2/31 Prot. datë 15.04.2021, me të cilin konfirmohet ligjshmëria e vendimeve Nr. 34 të Këshillit të Bashkisë Tropojë për ndërtimin e rrugës auto “Stacioni i Anijes Palç- Guri i Lules” dhe Vendimit të Këshillit Bashkiak Nr. 35 datë 30.03.2021 Për miratimin në parim të projekt idesë së rrugës “Qafë Murrizi- Qafë Agri”.

Këto punime janë bërë në kundërshtim me aktet ligjore dhe nënligjore të cituara më sipër. Konkretisht për kryerjen e punimeve të cituara më sipër, në bazë të VKM-së 408 datë 13.05.2015 (e ndryshuar) për hapjen e një rrugë të re subjekti i interesuar duhej të aplikonte në sistemin elektronik e-leje, pranë Bashkisë Tropojë, si institucion vendor që ka tagrin të shqyrtojë dhe miratojë lejen e ndërtimit të infrastrukturës, pasi të ketë verifikuar plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm tekniko-ligjor nga aplikuesi që parashikon legjislacioni për këto lloj punimesh. Konkretisht në nenin 15 të VKM nr. 408 datë 13.05.2015 (e ndryshuar) janë saktësuar dokumentet tekniko-ligjor që duhen depozituar në sistemin e-leje, gjatë aplikimit të kërkesës për leje ndërtimi të infrastrukturës. Gjithashtu, Bashkia Tropojë duhej të bashkëvepronte me institucionet e tjera kompetente për ndërtimin e rrugës sic janë: Agjencia Kombëtare e Mjedisit, për nevojën e hartimit të Raportit  të Vlerësimit të ndikimit në mjedis, të bashkëvepronte me Ministrinë e Linjës (parashikuar në sistemin elektronik e-leje) për impaktin e ndërtimit të rrugës së re dhe pasojat e këtyre punimeve të ndërtimit. Ky bashkëveprim parashikohet në nenin 20, pika 6 të VKM nr. 408 datë 13.05.2015 (e ndryshuar).

Në kuadër të veprimeve hetimore, nga ana e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është caktuar kryerja e aktit të ekspertimit teknik-topografik. Nga kryerja e aktit të ekspertimit ka rezultuar se hapja e rrugëve sipas projekteve të miratuara nga Këshilli Bashkiak është bërë në kundërshtim me aktet ligjore e nënligjore në fuqi duke sjellë një dëm prej 277. 611.520 (dyqind e shtatëdhjetë e shtatëmilion e gjashtëqind e njëmbëdhjetëmijë e pesëqind e njëzet) Lekë.

 Në bazë të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin Nr.112 datë 09.09.2024, ndër të tjera  ka vendosur:

Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posacme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

  • Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale ndaj për shtetasin R. B., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, e kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 248 e 25 të Kodit Penal.
  • Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale ndaj për shtetasin A. K., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, e kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 248 e 25 të Kodit Penal.
  • Urdhërohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si dhe Byroja Kombëtare e Hetimit për ekzekutimin e këtij vendimi.

/tvklan.al