SPAK ka mbyllur hetimet për kryebashkiakun e Mallakastrës, Qerim Ismailaj, dhe ka dërguar dosjen e tij pranë Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për gjykim.

Në përfundim të hetimeve të SPAK ka rezultuar se Ismailaj ka konsumuar veprën penale “falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”.

“Në kuadër të këtij procedimi penal janë kryer një sërë veprimesh hetimore dhe në përfundim është konkluduar se shtetasi Qerim Ismailaj, ka konsumuar elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 190, paragrafi i parë i Kodit Penal, e për rrjedhojë, i është komunikuar akuza, është marrë me cilësinë e të pandehurit dhe janë përfunduar hetimet. Sot me datë 01.11.2021 nga Prokuroria e Posaçme është dërguar kërkesa për gjykimin e çështjes pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, në ngarkim të të pandehurit Qerim Ismailaj, me funksion Kryetar i Bashkisë Mallakastër, për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” të parashikuar nga neni 190 paragrafi i parë i Kodit Penal”, thuhet në një njoftim të SPAK-ut.

Ismailaj u kallëzua në SPAK nga Partia Demokratike. Selia blu pretendonte se nga evidenca e shërbimit të oficerit të policisë në 30 Janar të 1999, Ismailaj ishte thirrur sipas ligjit për t’u paraqitur në gjykatën e Kios në Greqi, për veprën penale të përleshjes, ku ka marrë dijeni për akuzën.

Demokratët thanë se, kjo provon që ai ka patur dijeni për gjykimin dhe dënimin me 3 vite burg në shtetin grek, por e ka fshehur këtë fakt në formularin e dekriminalizimit.

Kjo akuzë nëse vërtetohet dënohet deri në 4 vite burg në Shqipëri.

PD: Akt i mirëpritur

Partia Demokratike reagoi pasi SPAK mori të pandehur kryebashkiakun e Mallakastrës, Qerim Ismailaj dhe dërgoi dosjen në gjykatë për gjykim. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, thotë se ky është një akt i mirëpritur drejt pastrimit të politikës.

“Marrja si i pandehur i uzurpuesit ilegjitim të Bashkisë së Mallakastrës është një akt i mirëpritur drejt pastrimit të politikës. Me kallëzimin tonë në SPAK, pasi treguam me dokumente se mandati i tij ishte i paligjshëm, PD bëri vetëm detyrën ndaj qytetarëve. Ne i qendrojmë bindjes sonë se mund të ecim përpara drejt zhvillimit pa politikanë të korruptuar e të lidhur me krimin”, shkruan Bardhi.

Për sekretarin e Përgjithshëm të PD-së të zgjedhurit në parlament, qeveri dhe bashki duhet të jenë shërbëtorë të qytetarëve ndërsa Rama ka futur në politikë modelin e politikanit gangster. Kjo sipas Bardhit zhbëhet përmes vettingut në politikë, për të cilën selia blu ka propozuar një nismë në Kuvend.

“Të zgjedhurit në parlament, në qeveri dhe në bashki duhet të jenë shërbëtorë vetëm të interesave të qytetarëve. Edi Rama futi në politikë modelin e politikanit gangster, që rri në pushtet në aleancë me krimin. Ky model duhet zhbërë përmes vetingut në politikë. Shqiptarët meritojnë të qeverisen nga politikanë me integritet”, tha Bardhi./tvklan.al