“Në kodin e procedurës penale nuk parashikohet një leje e tillë

SPAK ka rrëzuar kërkesën e Sali Berishës për të marrë pjesë në seancat parlamentare. Vendimi është marrë në datë 18 Janar nga dy prokurorët: Enkeleda Millonai dhe Arben Kraja.

Në vendimin e zbardhur thuhet se, Kodi i Procedurës Penale nuk parashikon një leje të tillë. Prokurorët theksojnë se nevojat që ka vlerësuar gjykata mbi bazë të cilave është caktuar masa “arrest në shtëpi” duhet të mbizotërojnë në raport me tagrin e deputetit ndaj të cilit zhvillohen hetimet për të marrë pjesë në parlament.

“Legjisltori nuk ka parashikuar në asnjë nga dispozitat e Kodit të Procedurës Penale apo në dispozitat e ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve” mundësinë e dhënies së një leje të tillë.”

Sipas dy prokurorëve që kanë marrë këtë vendim, as avokati i zotit Berisha nuk ka përmendur asnjë dispozitë mbi të cilën është mbështetur kërkesa për të lejuar të marri pjesë në seancat parlamentare.

Por avokati Sokol Mëngjesi pretendonte se është absolutisht e domosdoshme që zoti Berisha të shkojë, të marrë pjesë dhe të ushtrojë funksionet e tij në seancat plenare të Kuvendit në përmbushje të të drejtave lirive politike të parashikuara nga Kushtetuta, por edhe të përmbushë detyrimet e veta kundrejt elektoratit që e ka zgjedhur.

SPAK pranoi kërkesën e avokatëve për të shtyrë seancën e marrjes në pyetje të Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit. U caktua data 23 Janar për ish-kryeministrin dhe dy ditë më pas, do të dëshmojë dhëndrri i tij.

Po në datë 24 Janar Gjykata e Apelit do të shqyrtojë ankimin e Sali Berishës, i cili ka kërkuar ndryshimin e masës “arrest në shtëpi”. Shorti ka përcaktuar gjyqtaren Ilirjana Olldashi për të shqyrtuar këtë kërkesë.

Ish-kryeministri Berisha akuzohet për korrupsion pasiv kryer në bashkëpunim në lidhje me oprivatizimin e ish-klubit sportiv “Partizani”.

Klan News