Lajme Arkiva – TV Klan 2003

30 mijë personave u është hequr e drejta e votës në Tiranë, në Durrës janë 15 mijë të tillë, ndërsa në Shkodër janë 18 mijë. Kjo është deklarata e Spartak Ngjelës nga Durrësi, ku ai ka qenë sot së bashku me Avni Hoxhën, kandidatin demokrat për qytetin bregdetar.

Pikërisht për këtë, ka thënë Ngjela, kam paditur KQZ dhe Ministrinë e Pushtetit Vendor, pasi kjo përbën një krim.

Spartak Ngjela:- “Vlefshmërinë, ose pavlefshmërinë e zgjedhjeve në Durrës, gjithmonë në funksion të listave, do ta konsiderojë ose jo KQZ këtë, si problem themelor dhe në të njëjtin rast, më lejoni t’i kujtoj KQZ, se ne kemi prova të sakta që as në Tiranë as në Durrës, as në Shkodër, nuk janë respektuar vendimet e KQZV, për listat që është kompetenca substanciale e zgjedhjeve dhe nga ana tjetër, nga të 5 kopjet që ka qenë e detyruar KQZ të lëshonte, në instanca të caktuara për listën e zgjedhjeve me të cilën do të bëheshin votimet ka lëshuar vetëm një kopje dhe ajo është vetëm në kutitë e votimit”.

Ngjela në këtë mënyrë, ka denoncuar dështimin e zgjedhjeve në trekëndëshin Durrës-Tiranë-Shkodër. Ndërkohë sot pritet që KQZ të shqyrtojë vendimin për Durrësin dhe sipas Ngjelës, kjo përbën zbulimin e fenomenit Subashi. Ngjela tha, se problemin e listave e kanë konstatuar edhe vëzhguesit, por ai tha, se listat nuk janë përgatitur konform ligjeve në fuqi. Ai theksoi, se beteja për demokraci kryhet në funksion të lirive dhe jo të pushtetit./tvklan.al

Gazetare – Fjodora Fjora