Intervistë me Ministrin e Jashtëm, zotin Paskal Milo.

Gazetari: Do ketë një prezencë ushtarake shqiptare në Kosovë e kam fjalën për një pjesë të UÇK-së?

Paskal Milo: Sigurisht që në bazë të rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit po kryhet dhe demilitarizimi i UÇK-së, që mbështetet gjithashtu dhe në një marrëveshje të nënshkruar midis zotit Thaçi dhe autoriteteve të NATO-s. Pra një marrëveshje që është respektuar dhe për të cilën jo vetëm autoritetet e NATO-s po dhe i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara zoti Kushner ka shprehur kënaqësinë e vet. Pra ky proces besoj se datën 19 siç është thënë do të përfundojë dhe të gjitha shenjat janë që po përfundon në mënyrë korrekte. Që këtej e tutje dihet që UÇK do të integrohet në jetën politike të vendit por gjithashtu ajo do të integrohet në disa struktura të posaçme policore të cilat tashmë janë në krijim e sipër. Prandaj çeshtja e transformimit të UÇK-së nga një ushtri me synime që kishte për të luftuar për të çliruar Kosovën, tashmë ajo duhet të kthehet në një forcë që duhet të japë kontributin e vet politik në stabilitetin politik të Kosovës por në të njejtën kohë të marrë pjesë dhe të shndërrohet në një strukturë efikase për të vendosur rregullin, qetësinë dhe ligjin në Kosovë.

Gazetari: A do ishte normale kthimi i disa dhjetra policëve serbë në Kosovë, e pranueshme për popullin shqiptar të Kosovës pas gjithë kësaj tragjedie?

Paskal Milo: Nga pikëpamja emocionale dhe nga pikëpamja morale asnjë serb i cili ka lyer duart me gjakun e shqiptarëve, nuk ka të drejtë të qëndrojë në Kosovë. Dhe po nga kjo pikëpamje asnjë forcë ushtarake ose përfaqësi ushtarake serbe që është e lidhur me emrin e urryer të ushtrisë genocidiste serbe në Kosovë nuk duhet të kthehet atje. Por ka një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara që është përsëri 1244 e cila flet për një forcë simbolike serbe që është rreth dy mijë dy mijë e pesëqind veta që do të vendoset në disa objekte kulti të serbëve në Kosovë dhe në kufijtë e Kosovës. Këto forca do të jenë simbolike siç është thënë dhe vetë përmasa e kësaj force është simbolike por ne mendojmë që tani nuk është koha që të diskutohet kjo çeshtje. Akoma Kosova vuan nga plagët e mëdha që i shkaktoi shovinizmi serb, akoma në Kosovë flaka që dogji dhe shkatërroi shtëpitë është ende e pranishme, prandaj një prezencë ushtarake serbe në këtë kohë në Kosovë kur ende nuk janë mbyllur varret masive, ku ende shtëpitë nxjerrin tym nga zjarri që serbët i vunë atyre, ku ende është i gjallë, i freskët, kujtimi i mijëra e mijëra të vrarëve në mënyrën më makabre dhe i qindra mijëra shqiptarëve që morën arratinë nga terrori serb. Pra në këto rrethana është shumë shpejt për të mos thënë e pamundur që këto forca të rivendosen në Kosovë. Prandaj do të ishte e këshillueshme që të lihet Kosova e qetë të gjejë stabilitetin e vet, të gjejë administrimin e vet përmes ndihmës që po i jep administrata ndërkombëtare me në krye zotin Kushner, të ngrihen institucionet, të zhvillohen zgjedhjet e lira dhe të përgjithshme në Kosovë ku të dalë Qeveria e re e Kosovës, të ngrihen
institucionet e reja demokratike të Kosovës mbi bazën e votës së lire të popullit shqiptar atje por edhe të minoriteteve të tjera që jetojnë atje dhe pastaj mund të diskutohet, mund të flitet pas këtij stabilizimi dhe pas përfundimit të këtij procesi për kalimin në një etapë të dytë në rast se do ta lejojnë situatat atje. Sepse zhvillimet në Kosovë do të varen shumë edhe nga zhvillimet në Serbi. Ato janë të lidhura ngushtë sepse një regjim si Millosheviçi nqs do të vazhdojë të qëndrojë në Beograd në pushtet ai gjithmonë do të prodhojë konflikte, do të prodhojë kriza, tensione
brenda në Kosovë, gjë që ai në fakt ka filluar ta bëje.

Gazetari: Nuk ka ndonjë tension midis Qeverisë Shqiptare dhe Qeverisë Thaçi në momentin kur publikohen disa fakte të cilat kanë qënë të
panjohura për opinionin shqiptar, në lidhje me furnizimin e saj me armë apo mjete të tjera…

Paskal Milo: Me Qeverinë Thaçi dhe personalisht me Kryeministrin Thaçi ne kemi qënë në marrëdhënie të ngushta bashkëpunimi. Ju e dini që Thaçi ka qënë i pranishëm disa herë në Shqipëri, ka biseduar me Presidentin e Republikës, me Kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm, kemi dhënë një mbështetje maksimale, jo vetëm zotit Thaçi si Kryeministër i Qeverisë së Përkohëshme apo me cilësinë e tij të njeriut politik të UÇK-së, por të gjithë faktorëve të tjerë politikë shqiptare pa përjashtim, sepse ne kemi dashur dhe duam që shqiptarët e Kosovës, forcat politike atje në këto momente delikate duhet të qëndrojnë sëbashku dhe të zgjidhin problemet kryesore sëbashku. Nesër kur të vijë koha e zgjedhjeve sipas programeve politike që ata do të paraqesin atëherë ata mund të paraqesin alternativat e tyre dhe është populli ai që me votën e tij të lirë do të zgjedhë njërën prej tyre. Prandaj duke u nisur nga pyetja juaj dhe një herë tjetër dëshiroj të theksoj se Qeveria Shqiptare është në marrëdhënie shumë të mira me Qeverinë Thaçi, prandaj çdo koment tjetër në këtë drejtim nuk do të ishte veçse spekulativ./tvklan.al

Gazetar: Vladimir Lame