Spitali ushtarak i Gjirokastrës nga këtej e tutje do të jetë një spital civil në shërbim të qytetarëve.

Ndonëse  u administrua vetëm katër muaj nga forcat e armatosura shqiptare, Ministria e Mbrojtjes, ia ka dhuruar atë dikasterit të shëndetësisë.

Ministrja Anila Godo ka marrë në dorëzim çelësat nga vetë Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa.

Ata u shprehën se bashkëpunimi në nivel civil dhe ushtarak është pjesë e transformimit që po pëson Shqipëria, jo vetëm si pjesë e NATOS-tashmë, por edhe në kuadrin e përmirësimit të shërbimit shëndetësor në vend.

Anila Godo: “Marrim një dhuratë të bukur nga Ministria e Mbrojtjes që është një spital me një infrastrukturë dhe me pajisje të një niveli bashkëkohor, por transferimi i një shërbimi në këtë spital do të bëjë që dhe për spitalin rajonal të ketë më shumë frymëmarrje, më shumë hapësirë, pra dhe shërbimeve që mbeten aty do t’u ofrohet një oportunitet për të zhvilluar me cilësi shërbimet e tyre”.

Gazmend Oketa: “Kjo ngjarje ndodh në më pak sesa afërsisht një javë që na ndan nga një event madhor për të gjithë shqiptarët, për kombin shqiptar, siç është anëtarësimi me të drejta të plota i Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, në NATO. E lidh këtë ngjarje me atë ngjarje pasi kjo ceremoni e sotme dëshmon një dimension tjetër të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”.

Spitali ushtarak i Gjirokastrës iu dhurua forcave të armatosura shqiptare nga ushtria greke në Dhjetor të vitit 2008, pas disa vitesh funksionimi.

Ai përmban shërbime të specializuara si kirurgjia, laboratori kimik, poliklinikën dentare dhe pavijone të tjera. Kjo qendër shëndetësore ka 45 shtretër dhe në të mund të kryhen ekzaminime të llojeve të ndryshme./tvklan.al