Gjykata i ndalon ish-ministrit të Shëndetësisë edhe daljen jashtë vendit

Gjykata e Posaçme i ka caktuar ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj masën e sigurisë detyrim paraqitje dhe ndalim i daljes jashtë shtetit. Beqaj do të hetohet nën masë sigurie për shpërdorim detyre dhe shkelje e barazisë së pjesmarrësve në tendera apo ankande publike, vepra penale të kryera në bashkëpunim.

Vendimi i firmosur nga gjyqtari Erjon Bani vjen pas hetimit për çështjen e sterilizimit dhe është marrë të enjten më 16 Nëntor. Një ditë më vonë, më 17 Nëntor, masa e sigurisë u ekzekutua nga BKH-ja dhe policia.

Ish-ministri Ilir Beqaj do të duhet të paraqitet një herë në javë në Policinë gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit, me konkretisht çdo të premte në orën 15:30.

Sipas vendimit të Gjykatës, Beqaj nuk mund të dalë as jashtë vendit, pa një autorizim të Gjykatës, dhe i ndalohet përdorimi i pasaportës dhe mjeteve të tjera identifikuese.

Masa ndaj Beqajt, vjen pasi Gjykata e Posaçme, i sugjeroi prokurorisë të shtrinte hetimet për koncesionin e sterilizimit edhe mbi përgjegjësitë e 6 personave të tjerë, duke përfshirë ish-ministrin e Shëndetësisë, ish-ministrin e Financave, Shkëlqim Cani si dhe për katër komisionerë të prokurimeve.

Për dosjen e sterilizimit në Gusht të këtij viti pati edhe 8 masa arresti. Ish-zv ministri Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj, u lanë në arrest në burg, ndërsa 6 të tjerët në masë më të lehtë, detyrim paraqitje apo arrest shtëpie.

Ilir Beqaj, deri më tani mbante postin e drejtorit për Agjencinë shtetërore të programit strategjik dhe koordinimit të ndihmës së huaj. Pas masës së sigurisë nga Gjykata e Posaçme, Beqaj dha dorëheqjen.

Klan News