Shumë prej dosjeve në Gjykata janë kthyer në stok dhe nuk marrin përgjigje ndonëse mund të kenë kaluar vite apo dekada.

Një shqetësim i tillë u pranua edhe nga kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve, Naureda Llagamit, sipas së cilës ky stok është krijuar nga mungsa e dy burimeve, njerëzore dhe financiare.

Naureda Llagami: Numri një i backlogut janë burimet njerëzore, numri dy janë buxheti, lekët. Nëse ne nuk i kemi këto, burimet njerëzore dhe lekët ju mos pretendonini që KLGJ apo gjykatat do të shkojnë në uljen e backlogut.

KLGJ kërkon mbështetjen e Kuvendit dhe ekzekutivit për mungesën e infrastrukturës së nevojshme.

Naureda Llagami: Kërkoj mbështetjen buxhetore për pjesën e ambienteve infrastrukturore të Gjykatave. Sot gjykata e Apelit të Përgjithshëm nuk ka salla gjyqi. Si mundet sot një trup treshe të zhvillojë kur nuk ka ambiente.

Më problematike, sipas Llagamit është Gjykata e Apelit në Tiranë.

Naureda Llagami: Ajo që është problematike sot është gjykata e Apelit. Me 247 gjyqtarë ligjorë çfarë prisni ju që ne të gjykojmë më shumë. Nëse ne i vejmë gjyqtarit dy ndihmësa ligjorë, patjetër që gjyqtari do e zbatojë.

Përveç opozitës, edhe socialistët patën rezerva për punën e gjyqësorit në vend. Deputeti Fatmir Xhafaj shprehu si shqetësim vendimarrjet e vonuara.

Fatmir Xhafaj: Kur ju flisni për backlog, por ju flisni për vakanca, por ne mund të flasim për vendime të arsyetuara me shumë vonesë, deri në 1 vit vonesë nga gjyqtari që jo gjithmonë lidhen me backlogun. Cilësia e dobët e shkrimit. 30 vite sistem dhe në raportet e Bashkimit Europian në të paktën 15 vitet  e fundit një kritikë nuk është hequr asnjëherë.

Sipas KLGJ-së, asnjë reformë nuk mund të bëhet pa mbështetje financiare, duke rikthyer në vëmendje faktin që nga buxheti i shtetit ky institucion mori vetëm 0.1 përqind.

Klan News