Majmuni bën xhiro në Sauk, objektet, pas të cilave u magjeps

Skandali, me manovra e shkelje, zyrtari vjedh pronë në zemër të Tiranës


Në vitin 1996, në rrugën e Bogdanëve në Tiranë u ndërtua një dyqan me leje me sipërfaqe 31 m2 nga familja Heta në tokën e tyre dhe 2/6 e kësaj prone i përket Filda Hetës.

Në vitin 2014 një ndërtues shfaq interes dhe ia blen dyqanin familjes për 90 mijë Euro, nga të cilat 30 mijë Euro u dhanë në fillim, shumë e paguar nga Eduard Kelmendi, asokohe inxhinier teknik i firmës G2. Për llogari të firmës, por me dinakëri Kelmendi u mori firmat 4 pjesëtarëve të familjes Heta me një mandat dore, për shumën e dhënë prej 30 mijë Eurosh.

Pjesa tjetër prej 60 mijë Eurosh, do të shlyhej në fund të vitit 2014. Por marrëveshja për blerjen e dyqanit nuk u finalizua, pasi ndërtuesi u tërhoq. Pas 4 vitesh del në skenë komshiu Eduard Kelmendi me detyrë nënkryetar i njësisë Bashkiake 10, i cili mesa duket e kishte rregulluar lejen e pallatit dhe filloi të verë në zbatim planin, se si ta merrte dyqanin e Hetave.

Kjo është historia që ka trajtuar sonte emisioni Stop në Tv Klan.

Komshiu Eduard Kelmendi na ofroi një ndërtues një firmë G2 me përfaqësues ligjor Gëzim Papinovën për të dhënë dyqanin se do bëhej një ndërtesë ngjitur me oborrin e shkollës Avni Rustemi. Në akt-marrëveshje ishte shënuar që ne do t’i marrim këto 30 mijë Euro nga inxhinieri teknik i firmës, Eduard Kelmendi, por për llogari të kësaj firme me përfaqësuesin Gëzim Papinova. Vjen Eduardi, na i sjell lekët te noterja dhe na shpërndan nga një mandat pagesë dhe sipër thotë subjekti G2 ndërtim. Dhe i firmosën që morën këto lekë. 60 mijë Euro do t’i merrnim në Dhjetor 2014. Kërkonim të komunikonim me G2 ndërtim, nuk përgjigjej. Dërgoja mesazh më ke bllokuar pronën, çfarë do bëhet, sepse kishim kërkesa dhe nga të tjerë. Dhe nuk jepte një përgjigje të saktë dhe nga 2014 deri në 2018 ka mbetur si peng kjo nga kontrata që kishim lidhur”, thotë denoncuesja Filda Heta.

Eduard Kelmenti përdori mandatet, që pjesëtarët Heta firmosën kur morën 30 mijë Euro, dhe nisi t’u bëjë presion 3 vellëzerve dhe Filda Hetës, që t’i kthenin 30 mijë Eurot ose t’i jepnin dyqanin. Presioni funksionoi për tre vëllezërit, që ia dhanë pjesën e tyre Eduard Kelmendit me një deklaratë noteriale, hartuar në shkelje nga noterja Rezarta Koçi.

Ndërkohë, filloi duke bërë presion më ktheni lekët mua dhe vëllezërve të mi. Mua më dilte në rrugë, më vjen te puna, kërkoj të më kthesh lekët. Eduardi, me anë të presionit, duke u kërkuar lekët vëllezërve, arriti te noterja Rezarta Koçi të bëjë këto veprime. Vëllezërit ja kanë kaluar Eduardit një pjesë të kësaj prone. Sipas ligjit, bashkëpronësia duhet që të gjithë bashkëpronarët të jenë dakord dhe të firmosin të gjithë për veprime juridike. Unë nuk isha dakord për këtë gjë”, vijon denoncimin zonja Heta.

Në të njejtën ditë, e njëjta notere Rezarta Koçi, i revokoi firmës G2 marrëveshjen e bërë me familjen Heta për blerjen e dyqanit sërish në shkelje ligjore, akte për të cilat noterja Rezarta Koci po vuan dënimin me burg. 

Në sajë të veprimeve që janë bërë te noterja Rezarta Koçi, Eduard Kelmendi bëhet bashkëpronar në këtë ndërtesë me mua. Eduard Kelmendi më hedh në gjyq për përpjestim prone. Në fazën e parë të pjestimin e fiton, e apeloj dhe Gjykata e Apelit e prish këtë vendim. Ky vendim është bërë pa të gjithë bashkëpronarët. Nuk është e ligjshme, e kthen për rishqyrtim dhe të thërritet edhe firma G2. Kush është ky Eduardi? Çfarë pozicioni ka pasur në këtë kontratë thekson Gjykata e Apelit. Bëhet dhe një gjyq përsëri për rishqyrtim në Gjykatën e Shkallës së Parë, Eduard Kelmendi nuk paraqitet më dhe është pushuar ajo çështje”, thotë denoncuesja.

Gazetari-Si je bërë bashkëpronar me vëllezërit e familjes Heta?!

Eduard Kelmendi-Shko shif letrat, t’i ka dhënë…

Gazetari-Jo, jo letrat! Deklaratën e ke bërë tek noterja Rezarta Koçi…Si ia ke marrë dyqanin?

Eduard Kelmendi-Me anë të ligjit.

Gazetari-Cilit ligj? S’je ti pronar i familjes Heta, o zotëri! Kë ka pjesë Filda Heta? Banjën? Korridorin? Kë ka pjesë nga dyqani, 31m2?

Eduard Kelmendi- Ka 10.5m2 Filda Heta.

Gazetari-Kë ka? Në kë zonë?

Eduard Kelmendi-E ka firmos me firmën G2 ndërtim.

Gazetari-Me G2 zotëri, jo me ty. Hajde shëndet!

Ndërkohë, administratori i firmës G2, Gëzim Papinova, në një bisede telefonike, thotë se edhe ai është i zhgënjyer nga inxhinieri i tij Eduard Kelmendi dhe është në gjyq me të.

Ai pranon, se në kontratën e kalimit të pronësisë së dyqanit, nuk ka firmosur Filda Heta dhe dyqani është marrë në mënyrë të parregullt.

Gëzim Papinova, administrator i G2: Eduard Kelmendin e kam pasur inxhiner tek firma G2. Bëri ç’kishte për të bërë punët e veta. Atë pallatin e kisha për ta ndërtuar unë, e mori ky pas meje, se njifte një nga ato pronarët dhe u ngatërrun, jo kjo firmosi, jo kjo nuk firmosi dhe u ngatërrua kjo punë. Edhe unë jam në gjyq me atë. Kanë firmosur 4, ndërsa vetëm kjo goca, Filda Heta, nuk ka firmosur, sepse nuk donte të firmoste me këtë, pa një dokument sigurie.

Pasi e mori dyqanin, Eduard Kelmendi iu drejtua gjykatës për përpjestimin e dyqanit, por Gjykata e Apelit ia ka rrëzuar me argumentin se pronësia ka kaluar në mënyrë të parregullt.

Gjyqtarja favorizon hapur avokaten e njës palë, shkel etikën


Në pjesën e dytë të emisionit Stop në Tv Klan vijon trajtimi i çështjes së zaptimit të pronës së familjes Heta në rrugën e Bigdanëve në Tiranë, nga ana e Eduard Kelmendit.

“U bë bashkëpronar dhe ndërkohë kaloi edhe dokumentacionin nga firma G2 në emër të tij te noteri Dritan Gjanaj”, thotë denoncuesja.

Eduard Kelmendit i duhej një deklaratë tjetër për të zbardhur lejen e ndërtimit, ndaj te noteri Dritan Gjana u hartua një deklaratë, sipas të cilës firma G2 i kalonte atributet e marrëveshjes së 2014-ës Eduard Kelmendit. Edhe ky akt ishte i paligjshëm, pasi marrëveshja nuk ishte realizuar.

Noteri Dritan GjanaTani, se çfarë veprime bën Gëzim Papinova, G2 me atë Eduard Kelmendin. Në rast se Gëzimi, e para nuk mund të shesi gjë njëherë, se s’ka çfarë të shesi, s’ka…

Gazetari- S’ka, sepse e ka hequr dorë nga akt-marrëveshja, që kishte bërë me Hetat në 2014-ën.

Ndaj veprimeve të INUK Tiranë, që prishi dyqanin pa vendim, janë bërë 6 kallzime në polici, njëri prej të cilëve, po hetohet nga prokurorja Silvana Lule, e cila nga 2018-ta deri më sot vetëm e ka zvarritur hetimin.

“Kam bërë 6 kallëzime në Komisariatin Nr.3. Në kallëzimin e fundit ku m’u shkatërrua dhe prona komisariati ja dërgoi Prokurorisë dhe Prokuroria ka që nga 2018, prokurorja Silvana Lule nuk më thërret mua. Unë kam kallëzuar Eduard Kelmendin dhe 3 punonjësit e IMT pasi nuk kishin asnjë vendim për shembjen e kësaj ndërtese. Çështja shkon në gjykatën penale, urdhëron Prokurorinë që kjo çështje duhet të hetohet se si është ligji në Bashkinë e Tiranës, si veprohet në këto raste. Prokurorja e ankimon, shkon në Gjykatë të Apelit, vazhdon atje me muaj. Prokurorja tërheq ankimimin. Nga kjo shkon përsëri në gjykatën e dhomës penale. Atje jepet urdhër prapë për hetim të çështjes. Pas kaq kohësh asgjë, mua nuk më thërrasin, prokurorja nuk më thërret asnjëherë. Pallati u ndërtua, u shfrytëzua, po shfrytëzohet ka bërë veprimet e veta, lulishte ma ka bërë dyqanin. Unë jam pa asnjë të ardhur. Unë nuk njihem as nga G2, jam midis të dy firmave”, vijon denoncimi i zonjës Heta.

Nga ana tjetër, Eduard Kelmendi i është drejtuar gjykatës me një kërkesë penale kundër Filda Hetës dhe emisionit Stop për publikimin e këtyre fakteve dhe provave. Gjyqtarja Marinela Osmani, shfaqet dukshëm e njëanshme në këtë kërkesë, duke favorizuar hapur Eduard Kelmendin.

Ajo ka lejuar avokaten e Kelmendit të shkelë etikën në proces, duke shfaqur afërsi me të.

“Pala i është drejtuar gjykatës me kërkesë penale për të akuzuar disa nga drejtuesit e emisionit Stop, gazetarë etj. por në kërkesën që i është drejtuar gjykatës nuk ka paraqitur gjeneralitetet e sakta të palëve dhe gjykata e ka favorizuar në mënyrë të hapur duke i lënë të meta. Por këtu nuk jemi në një proces civil që mund të lihen të meta sipas nenit 154 të Kodit të Procedurës Civile, por jemi në një proces penal që ligji penal e ka përcaktuar në mënyrë të qartë mënyrën se si duhet të paraqitet kjo kërkesë. Pra në rastin aktual kjo është favorizuar. Kur pala i drejtohet vetë gjykatës duhet të paraqesi aktet bashkëlidhur, njëkohësisht dhe gjeneralitetet e palës së akuzuar”, thotë avokati Arben Llangozi.

Gjyqtarja Osmani është vetë një precedent në sistemin e drejtësisë, pasi ajo e ka kaluar Vettingun, ndërsa i shoqi, ish-prokurori Gentjan Osmani, ka ngelur në klasë për mosjustifikim të parave dhe ka dalë nga sistemi.

/tvklan.al