Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku e ka cilësuar antikushtetues vendimin e Kuvendit që përcakton se mandati i i gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese Elsa Toska, përfundon në vitin 2028. Kjo specifikohet në njoftimin për hapjen e vendit vakant pas largimit nga detyra të kësaj gjyqtareje. Por ligjvënësja demokrate deklaron në reagimin e saj, se gjyqtares i përfundonte mandati në 2025-ën.

Per këtë Tabaku sjell në vëmendje miratimin e ndryshimeve kushtetuese të Reformës në Drejtësi dhe dispozita kalimtare për mandatet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

“Në këto dispozita gjendet edhe neni 179, pika 3, i cili saktëson se gjyqtarëve të emëruar pas vitit 2017 u përfundon mandati në vitin 2025, ndërsa atyre të emëruar pas vitit 2020 u përfundon mandati në vitin 2028.”

Zonja Toska është emëruar gjyqtare kushtetuese në shkurt të vitit 2018. Deputetja Tabaku ngre disa pyetje duke nënkuptuar se është shkelur ligji.

“A është kjo një përpjekje për të manipuluar Kushtetutën dhe për të zgjatur mandatin e ndonjë gjyqtareje tjetër? Apo ka për qëllim Kryetarja e Kuvendit të mbajë të kapur Gjykatën Kushtetuese me vendime arbitrare, duke minuar Reformën në Drejtësi? A ka vendosur Kryetarja e Kuvendit të hedhë poshtë Kushtetutën dhe mendimin e Komisionit të Venecias, të cilit vetë i është drejtuar?”

Deputetja Tabaku e mbyll reagimin me thënien e presidentit amerikan Uillson: “Demokracia është një sistem i tmerrshëm, por për sa kohë që nuk kemi diçka më të mirë, duhet të luftojmë për të.”

Klan News