Gazetari Blendi Fevziu ka folur sot në studion e “Rudina” edhe për takimin e diktatorit Enver Hoxha me shkrimtarin e madh Ismail Kadare.


“E ka takuar vetëm një herë në takim personal. Takim në vitin 1969, 1970. Ai po shkruante “Dimrin e Vetmisë së Madhe”. Kishte kontaktuar me bashkëshorten e Enver Hoxhës për të vënë në dispozicion arkivat e Moskës. Ajo e fton për një kafe në shtëpi, ai shkon bashkë me vajzën e madhe. Troket dera një moment, futet diktatori i cili thotë: A ju shqetësoj një minutë, a mund të ulem pak me ju? Gjithë biseda siç përmend ai dhe ish-bashkëshortja e Enver Hoxhës, biseda ka qenë rreth Gjirokastrës dhe takimit të Moskës për të cilin Kadareja do shkruante. Folën për sokakët. Shtëpitë e tyre lidhen nga “Sokaku i të Marrëve”. Kadareja thoshte me të qeshur se dy më të marrët e Shqipërisë nuk mund t’i lidhte një rrugë me emër tjetër. Kanë 28 vjet diferencë me njëri-tjetrin, por gjithsesi kishin nostalgji për Gjirokastrën.  Kadare s’ka qenë një njeri i afërt me Enver Hoxhën.

3 vjet më parë, Arkivi i Shtetit më ka sjellë bisedat më private në zyrën e Enver Hoxhës në 1982, ku flitet për një arrestim të mundshëm të Kadaresë. Por të nesërmen i rithërret njerëzit dhe është e çuditshme se thotë ta arrestojmë se mos po bëjmë gabim? Ramiz Alia i përsëriste fjalët, ai s’donte t’i jepte një disident Perëndimit. Ai e dinte që Franca po priste këtë. Enver Hoxha nuk donte t’i jepte Perëndimit idenë e një njeriu që sfidonte regjimin e tij”, tregoi Fevziu.

/tvklan.al