Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Kryetari i Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës Ramush Haradinaj, që ndodhet për një vizitë zyrtare në Tiranë është takuar me Zv/kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm Ilir Meta. Të dy politikanët shqiptarë kanë ndarë mendim të njëjtë për forcimin e institucioneve në Kosovë dhe integrimin e saj në Bashkimin Europian, në mënyrë që Kosova të jetë një burim stabiliteti në rajon.

Ramush Haradinaj:- “Kjo është një bashkëpunim që i ka fillimet shumë të hershme dhe i gëzohemi arritjeve në këtë drejtim dhe po ashtu shprehim gatishmërinë, që t’i japim mbështetje misioneve vendore në Kosovë, por edhe përpjekjeve të bashkisë ndërkombëtare, për marrëdhënie më të mira dhe raporte më të mira edhe në rajon”.

Ilir Meta:- “Kosova ndodhet para disa sfidave shumë të rëndësishme, të cilat kanë të bëjnë, me demonstrimin e aftësive qeverisëse dhe vetëqeverisëse, të institucioneve të reja të zgjedhura, qendrore dhe vendore atje, që kanë të bëjnë me një bashkëpunim më të ngushtë me administratën ndërkombëtare në Kosovë, me qëllim transferimin e mëtejshëm të kompetencave për një qeverisje sa më të plotë dhe sa më të efektshme nga institucionet e reja të Kosovës, në një kohë sa më optimale”.

Përsa i përket statusit të Kosovës, shefi i diplomacisë shqiptare theksoi se është ende herët, të flitet për përcaktimin e tij, por mungesa e këtij statusi ka thënë Meta, nuk duhet të bëhet pengesë për zhvillimet e qëndrueshme politike, ekonomike dhe sociale në Kosovë./tvklan.al

Gazetare – Elona Meço