Gabimet e vazhdueshme të Kryeministrit Albin Kurti sipas kreut të AAK-së Ramush Haradinaj kanë inkurajuar Serbinë që t’i dërgojë letër Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

Në këtë letër Serbia pretendon se dhënia e statusit për Kosovën do të ishte vendim i dëmshëm si për Asamblenë Parlamentare të NATO-s dhe veçanërisht për proceset e stabilizimit dhe integrimit euroatlantik në Ballkanin Perëndimor.

“Serbia është e inkurajuar prej gabimeve të Kosovës, prej gabimeve të Kurtit dhe ajo shkon në një hap më tutje, pra më shumë minuse t’i quaj kështu sepse një letër e tillë sepse Serbia me siguri ka përgatit, nuk sjellë letra e para, pra me siguri ata gjatë gjithë kohës kanë dërguar raporte gjoja se Kosova vepron kundër të drejtave të komunitetit serb apo edhe zhvillimeve tjera, pra e kemi paralajmëruar me kohë thellimin e humbjeve për Kosovën”.

Thotë se Serbia do të bëjë përpjekje t’i shfrytëzojë vendet që ende nuk e kanë njohur Kosovën.

“Ne nuk kemi çështje tani për t’u diskutuar sepse nuk ka një proces kontraktual por për shembull ka vende skeptike dhe jo njohëse do ta shfrytëzojnë edhe pozicionin e Serbisë për shkak se ju e dini se për anëtarësim në NATO ka rendësi marrëdhëniet nder fqinjësore sikurse për marrëveshje tjera”.

Instituti Ndërkombëtar për Sigurinë me qendër në Beograd, ditë më parë përmes një letre i ka bërë thirrje Asamblesë Parlamentare të NATO-s që të mos miratojë statusin e Kosovës si një anëtare e asociuar e organizatës në fund të javës.

Aplikimi i Republikës së Kosovës për të qenë anëtar i asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s do të jetë në agjendë të takimit që ky institucion do ta mbajë nga 25 deri më 27 Maj në Sofje të Bullgarisë.

Tv Klan