Daniela Zisi: “Makina nga e cila sapo zbrita, është një taksi por që në fakt pamja e saj tregon qartë që nuk është e tillë. Ato ju ofrojnë qytetarëve një çmim gati sa gjysma e çmimit që ofrojnë taksitë e licencuara, duke i konkurruar këta të fundit në mënyrë të pa ndershme”.

Në rrugët e qytetit të Korçës mund të gjesh me dhjetëra taksi të tilla të palicensuara që të ofrojnë shërbim në çdo vend dhe në çdo kohë. Edhe pse një aktivitet i paligjshëm dhe informal, ai konkurron në mënyrë të denjë taksitë e licensuara.

Taksisti: “Jam në procedura ta mbyll. Nuk vazhdojmë dot më, se vetëm të paguajmë shtetin sija dalim dot”.

Taksisti: “Të gjitha veturat që shikoni në qytetin e Korçës, të gjitha punojnë taksi. Prandaj ne kemi folur, kemi diskutuar gjithmonë, por akoma nuk është bërë diçka”.

Përfaqësues të bashkisë së Korçës kanë bërë me dije se shumë shpejt policia bashkiake do të ndërmarrë një aksion për të mos lejuar mjetet e zakonshme të punojnë si taksi.

I njëjti fenomen ndodh edhe në qytetin e Fierit. Kushdo që mund të ketë një makinë mund të punojë  si taksi pa patur nevojën e pajisjes me licencë. Taksistët thonë se e kanë ngritur disa herë si shqetësim, por deri më tani nuk është marrë ndonjë masë.

Taksisti: “Na konkurrojnë shumë taksitë e tjera që janë me targa të bardha, mendohet që mund të jenë 200. Kemi prova, kem i dhe fakte”.

Taksisti: “Punë nuk kemi fare. Sepse këtu vijnë të gjithë, nuk vjen të punojë vetëm taksia e qytetit. Vijnë nga fshatrat e fut te vendi i taksive, pa asnjë lloj dokumenti”.

Eriselda Çobo: “Përsa i takon konkurrencës së pa ndershme. Është bërë një punë në fakt me anë të policisë bashkiake në pikat stacionare që ne kemi përcaktuar për grumbullimin e taksive, por kërkohet një bashkëpunim më i mirë dhe një veprim i policisë rrugore e cila mund t’i kontrollojë këto mjete edhe gjatë akseve që ato përshkruajnë dhe distancave që ato bëjnë”.

Përveç shqetësimit për konkurrencën e pandershme, prania e shumë taksive të palicensuara në këtë qytet ka bërë që të dështojë edhe kësaj radhe vendosja e taksimetrave./tvklan.al

Gazetare: Daniela Zisi / Kristaq Thano

Montazh: Ergis Hasanbelli