Lojërat Olimpike dhe Kina kanë qenë në qendër të vëmendjes së të gjithë botës këtë muajin e fundit. Olimpiada ka qenë burim të ardhurash por disa pronarë të bizneseve të vogla në Pekin mezi po presin që lojërat të përfundojnë. Ata kanë varur buzët, sepse të ardhurat e tyre nuk i kanë arritur parashikimet, kjo si pasoj e numrit të kufizuar të turistëve që vizituan Pekinin. Shtrëngimi i vizave për në kinë, refuzimi i tyre individëve që mendohet që mund të ishin protestues potencial për të drejtat e njeriut dhe lirinë e Tibetit, aktivistë së shoqatave në mbrojtje të Darfurit ishin shkaqet kryesore.

Pritej që rreth 500 mijë vetë të vizitonin kryeqytetin kinez por në fakt shkuan më pak. Vetëm në gushtin e vitit të shkuar Pekini u vizitua nga 420 mijë turist. Air China kompania shtetërore e fluturimeve ka deklaruar se trafiku i pasagjerëve ka rënë me 19% në krahasim me vitin e shkuar. Madje dhe numri i turistëve vendas ka qenë i ulët.

Drejtori i shoqatës së hotelierëve të Pekinit Juang Xheng Ju, ka deklaruar se hotelet janë zënë nga 50 deri në 60% të tyre, teksa pritej të ishin 70 deri në 80% të vizituar. Vetëm 120 hotele të përcaktuar si hotele të olimpiadës kanë ecur mirë por disa prej tyre kanë ulur edhe çmimet. Sipas një raporti të agjencisë së lajmeve Kina e re, ishte parashikuar që 20 mijë apartamente të liheshin me qira me afat të shkurtër por vetëm 8 mijë prej tyre janë frekuentuar gjatë olimpiadës.

Një dëmtim të ndjeshëm kanë pësuar edhe baret karaoker, lokalet me argëtim erotik, shumë fabrika e punishte të ndryshme të cilat janë mbyllur përkohësisht nga autoritet të konsideruara si prishës të imazhit të qytetit. Shumë prej këtyre bizneseve shpresojnë që jeta të kthehet në normalitetin e para olimpiadës duke uruar përfundimin sa më të shpejtë të lojërave./tvklan.al

Gazetari: Erion Todhe

Montazh: Ergis Hasanbelli