Komisioni Hetimor për Sterilizimin dhe Check Up është mbledhur ditën e sotme. Në këtë takim duhej të dëgjoheshin dëshmitarët e tjerë të thirrur në lidhje me këtë çështje.

Megjithatë siç raporton gazetari Enkel Xhangoli, në momentin që deputetët e PD-së kanë tentuar të futen në ambientet ku zhvillohet mbledhja janë ndaluar nga Garda.

Kjo për faktin se dy prej deputetëve kanë masë përjashtimore për shkak të aksionit në parlament. Bëhet fjalë për Ina Zhupën dhe Xhelal Mziu që janë përjashtuar me 40 ditë.

“Për këtë arsye është krijuar një moment tensioni në sallën e mbledhjes, por më pas edhe pse janë futur në mbledhje ka pasur një debat të fortë me akuza politike nëpërmjet zv/kryetarit të komisionit Plarent Ndrecaj dhe Albana Vokshit dhe deputetë të tjerë”, raportoi gazetari Xhangoli.

Në debat e sipër në kohën që ka marrë fjalën zv/kryetari Ndrecaj deputetët e PD kanë tentuar t’i bllokojnë fjalën duke goditur tavolinat. Në këto kushte Ndrecaj dhe anëtarët e PS-së vendosën të largoheshin pas 30 minutash debat.

“Pavarësisht largimit të deputetëve Vokshi vendosi që të vijojë mbledhjen vetëm me deputetët e PD duke theksuar se ka kuorumin”, raportoi ai./tvklan.al