Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj i ka kërkuar faktorit politik shqiptar në Mal të Zi që të lërë mënjanë dallimet politike kur bëhet fjala për çështje të rëndësisë kombëtare. Kreu i shtetit shfrytëzoi vizitën në Malin e Zi, ku ndodhet për Samitin e Procesit të Brdo-Brijunit, për të diskutuar me përfaqësuesit shqiptarë atje rëndësinë e të qenit bashkë sa herë që flitet për interesat e gjithë shqiptarëve.

“Për çështje madhore kombëtare, ne si shqiptarë duhet të jemi bashkë pavarësisht ideologjive politike e partiake që na bëjnë të konkurrojmë me njëri -tjetrin, konkurrencë e cila është mirë të jetë e shëndetshme. Ne duhet të jemi bashkë për çështjet që kanë të bëjnë më orientimin Euroatlantik të shqiptarëve”.

Në këtë kuadër ai këshilloi se është e rëndësishme të mos tolerohen veprimet antishqiptare

“Nëse ne shohim një qëndrim që bie ndesh me interesat e shqiptarëve, që bie ndesh me ëndrrat e shqiptarëve, me rrugëtimin tonë evropian, me qenien tonë në NATO, patjetër që këto gjëra nuk tolerohen, janë vijë e kuqe ndarëse. Ne kurrë nuk do të pajtohemi me veprime që bien ndesh me Kosovën”.

Kreu i shtetit u shpreh gjithashtu se asimilimi i shqiptarëve është një fenomen mjaft shqetësues, ndaj theksoi se për parandalimin e tij është i nevojshëm hartimi i një strategjie afatgjatë, e cila do të duhet të ketë në fokus ruajtjen e identitetit kombëtar përmes arsimit, gjuhës dhe kulturës shqipe.

Tv Klan