Të parin mesazh pas mosbindjes civile që demokratët nisën të hënën, Sali Berisha e pati për qytetarët.

“Dhanë leksionin më të mirë se çfarë është opozita. Ata mbrëmë ishin ndërgjegjja e kombi”, tha Berisha.

Edi Ramën e paralajmëroi se e djeshmja ishte vetëm fillimi i revoltës së qytetarëve.

“Pa zgjedhje të lirë, Shqipëria nuk ka dhe nuk do ketë paqe! Prandaj me hir ose me pahir, do ta kemi qeverinë teknike”, tha ai.

Tha se nuk ka një plan B dhe se mosbindja civile do përshkallëzohet në mbarë vendin.

“Kemi 77 mënyrë për mosbindje civile. Mendohu mirë Edi Rama se së shpejti mosbindje do kesh Shkodrën, pastaj Durrësin, Vlorën, Kukësin, Tepelenën, Lezhën, mbarë Shqipërinë”, tha Berisha.

Edi Ramës të cilit i kërkon të largohet për t’i hapur rrugë qeverisë teknike u kujdes t’i tregonte atë që e pret nëse nuk pranon kërkesën e demokratëve.

“Reago sa je në kohë. Nuk kërkojmë pushtet në tavolinë, as të marrim pushtet me forcë. Pse ke frikë Edi Rama?”, tha Berisha.

Poshtë hodhi çdo mundësi bojkoti të zgjedhjeve parlamentare.

“Kurrë! Ta harrojë kush se bojkotojmë”, u shpreh kryedemokrati.

Në shënjestër të akuzave se i shërbejnë Kryeministrit Rama nuk vuri vetëm SPAK-un, por edhe presidentin Bajram Begaj.

“S’ka shqiptar që nuk e ka kuptuar që ai flet dhe hesht me leje të Edi Ramës”, tha Berisha.  

Krahas mosbindjes civile me qytetarët, Berisha tha se po punohet edhe me ndërkombëtarët, pasi sipas tij, këta të fundit janë dezinformuar nga propaganda e kryeministrit, siç ishte edhe rasti i burgosjes së ish-deputetit Salianji.

Tv Klan