“Qytetarët kanë kërkuar reagim më të fortë”, kështu është shprehur drejtuesi politik i PD për qarkun Tiranë, Belind Këlliçi.

Në një bisedë në studion e Klan News me gazetarin Drini Zeqo, Këlliçi u shpreh se qytetarët me të drejtë kanë kërkuar një reagim më të ashpër nga ana e PD. Ai shtoi se protesta e ditës së djeshme ka qenë akti i parë i mosbindjes civile që pritet të përshkallëzohet më tej.

Belind Këlliçi: Unë mendoj që dje ka pasur një përgjigje në kohë rekord të thirrjes së Partisë Demokratike dhe opozitës për të pasur një protestë në më pak se 10 ditë. Me dhjetra mijëra qytetarë dje kanë mbushur bulevardin për të nisur dhe për të hapur siparin e protestave dhe për të nisur mosbindjen civile. Kjo ka qenë akti i parë i mosbindjes civile. Reagimi i djeshëm i qytetarëve ka qenë tërrësisht proporcional me situatën aktuale dhe madje i butë në raport me çfarë ndodh përdit me qytetarin shqiptarë dhe reagimi i forcave të Policisë ka qenë tërrësisht jo proporcional në raport me sjelljen e protestuesve. Për shkak se ne kemi kohë që themi mosbindje civile, të gjithë skenarët janë në tavolinë përfshirë edhe aksion brenda sallës së Parlamentit, edhe protesta jashtë Shqipërisë duke përfshirë edhe Parlamentin Europian, sepse sot që ne flasim kemi 24 deputetë të përjashtuar nga Kuvendi i Shqipërisë.

Lidhur me deklaratën e tij mbrëmjen e djeshme në emsionin “Opinion” në Tv Klan, Këlliçi e ka sqaruar edhe një herë.

Belind Këlliçi: Unë kam thënë edhe e rithem sërish në votime edhe në zgjedhje në këtë formë që jemi sot ku Edi Rama bën çfarë i do qefi e shkruan rezultatin para se të fillojë procesi ne nuk futemi në zgjedhje. Ne padiskutim do të japim gjithçka nga vetja jonë, gjithçka që kemi në fuqinë tonë për të arritur një kabinet teknik, nuk po themi na jep pushtetin në tavolinë. Ne duam kushte të barabarta gare.

Këlliçi pati një reagim edhe për deklaratat e selive diplomatike pas kaosit në Parlament ku opozita dogji karriget në oborrin e Kuvendit.

Belind Këlliçi: Ne do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë për të ndërgjegjësuar çdo shqiptarë dhe çdo partenrë të këtij vendi që problem nuk janë ato 12 karrige sepse pash një deklaratë skandaloze të selive diplomatike javën e kaluar se na u shqetësuan për djegine e karrigeve dhe nuk reaguan njëherë të vetme për krimin dhe korrupsionin në këtë vend, për vjedhjen. Të paktën të shohin punët e veta kur nuk i takon të bëhen palë me një pushtet të kriminalizuar deri në qelizë të paktën të heshtin sepse mirë që nuk po bëjnë detyrën e tyre për të qenë të barabartë për të gjitha forcat politike në një vend, por të paktën të mos bëhen qesharakë për të mirën e tyre. Dhe nuk kam aspak kompleks t’jua them që janë qesharak me reagimet që bëjnë.

Ndër të tjera lidhur me protestuesit deputeti demokrat shtoi: Shumë të frymëzuar dhe madje kanë kërkuar me shumë kritika një pjesë e madhe prej tyre dhe kanë shumë të drejtë reagime dhe më të fortë e të ashpër nga ana e Partisë Demokratike dhe opozitës. Ka ardhur momenti që nuk mban më kjo situatë.

/tvklan.al