Mbledhja e Komisionit parlamentar Hetimor për Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe të Check-Up në Shëndetësi, u shoqërua me tensione.

Komisioni i nisi punimet nën drejtimin e nënkryetarit socialist Plarent Ndreca ku në rend të ditës ishte seanca dëgjimore me dëshmitarët, Gentian Opre, Arjana Dyrmishi, Mimoza Dhëmbi, Niko Lera, Irena Beqiraj për të sqaruar rrethana të ndryshme që lidhen me çështjen e Sterilizimit dhe të Check-Up në Shëndetësi sipas rregullave të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale.

Tensionet nisen pasi kryetarja e Komisionit, Albana Vokshi, e cila ka hyrë me vonesë në sallën e mbledhjes akuzoi gardën dhe socialistët për situatën e krijuar.

Vokshi kërkoi që të nxirrej jashte sallës dëshmitari Gentian Opre dhe mbledhja të niste nga e para.

Mes dy deputetëve janë shkëmbyer replika në lidhje me zbatimin e rregullores dhe u hodhën akuza publike për abuzime me tenderin e uniformave të policisë kur Plarent Ndreca ishte sekretar i përgjithshëm.

Nga ana e opozitës në komision ishte i pranishëm vetëm deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili pasi pjesa tjetër janë të përjashtuar nga Kuvendi, për shkak të akteve të dhunës në seancë plenare. Pas më shumë se një orë rezistence opozitarët u larguan dhe Ndreca thërriti dëshmitaren tjetër Mimoza Dhembi. Kjo e fundit nuk ishte ende e pranishme ndaj ai hodhi në votim ndërprerjen e mbledhjes.

Klan News