Tetë ish-deputetë dhe drejtues të Partisë Socialiste kanë braktisur atë për t’iu bashkuar Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Gjatë prezantimit të tyre si anëtarët më të rinj të kësaj force politike sekretari i përgjithshëm, Petrit Vasili, tha se LSI-së po i bashkohen qindra anëtarë në mbarë vendin për shkak se ajo përfaqëson një moral të shëndoshë politik, ndryshe nga Partia Socialiste, të cilën e akuzoi për blerje individësh.

Petrit Vasili: “Këtu së bashku me mua jam shumë i lumtur dhe sigurisht edhe i kënaqur, po dhe i satisfaksionuar që jam së bashku me disa burra të nderuar. Vetëm disa prej qindra-mijëra burrave të nderuar dhe grave të nderuara që bashkohen në tërë Shqipërisë. Përsa i takon grave do të keni fatin e madh të shikoni disa mijëra gra të shkëlqyera, të cilat nesër do të kenë konventën e tyre të madhe në Pallatin e Kongreseve, burra që janë themelues po të Partisë Socialiste, po edhe drejtues shumë të suksesshëm të saj, po dhe të jetës shtetërore të vendit, të cilët përfaqësojnë qindra e qindra anëtarë partie dhe dhjetëra e dhjetëra organizata në të gjithë vendin dhe janë bashkuar këtij procesi të rritjes së pandalshme të jashtëzakonshme të LSI-së si parti e moralit të shëndoshë dhe jo parti e perversitetit të shitblerjeve të njerëzve me leje ndërtimi dhe para në dorë nga taksat e shqiptarëve”.

Që prej formimit të LSI-së mjaft drejtues dhe anëtarë të Partisë Socialiste i janë bashkuar subjektit politik të drejtuar nga Ilir Meta, por nga ana tjetër edhe anëtarë të LSI-së u janë bashkuar strukturave të selisë rozë, një fenomen që ka ndikuar në përkeqësimin e marrëdhënieve mes dy partive ish-aleate./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani