“Një parajsë evropiane që duket si Tajlanda, e përkryer për një arratisje të ngrohtë vjeshte”.

Me këtë titull tabloidi i njohur britanik i ka kushtuar një hapësirë të veçantë lumit të Shalës në veri të Shqipërisë.

Në shikimin e shoqëruar me foto dhe video të publikuara në rrjetet sociale nga pushuesit britanikë që e vizituan këtë zonë gjatë verës, “The Mirror” e cilëson atë një perlë të fshehur të Evropës dhe që ofron një përvojë të ngjashme me Tajlandën e famshme, por shumë më afër shtëpisë.

Tabloidi britanik nënvizon se me ujërat e tij në blu të thellë Lumi i Shalës të lë pa frymë edhe për peizazhin e harlisur si një xhungël, duke ofruar një pjesë të parajsës pa shpenzimet marramendëse të një udhëtimi në Azinë Juglindore.

Sipas gazetares Laura Mckenna, vizita në këtë zonë është e përkryer edhe në vjeshtë pasi Shqipëria ka temperatura të pranueshme rreth 25 gradë Celsius në Tetor dhe me shumë diell për adhuruesit e plazheve.

“Ujërat e pastër kristal, rëra e bardhë dhe një ambient eterik ju presin në një nga destinacionet më të papritura të Evropës”, shkruan The Mirror.

Për vizitorët, rekomandohen udhëtimet me varka, noti, ecjet në mal dhe aktovitete të tjera.

“Nëse jeni duke kërkuar aventura apo kërkoni të eksploroni bukurinë e paprekur të Shqipërisë veriore, ky rajon i ka të gjitha”, e mbyll tabloidi britanik.

Tv Klan