“Mos e quani Shqipërinë “Greqia e re” apo “Maldivet e lira”. Vija e saj bregdetare është plot me surpriza dhe shtigjet e barinjve që kanë një pamje përrallore janë pikërisht në zemër të saj.”

Kështu nis një reportazh i gjatë i prestigjiozes britanike “The Times” që sjell rrëfimin e një udhëtimi të bërë në këmbë në bregdetin e jugut nga Llogaraja deri në Sarandë. Gazetarja britanike, Mariana Hunt thotë se kostot e pushimeve në Shqipëri janë shumë më të ulëta se diçka e krahasueshme në Greqi.

Bregdeti i Jonit shfaqet për turistët e huaj falë fshatrave të përsosura si Ksamili, të cilët kanë plazhe të bardha të pacënuara, aq sa janë krahasuar në Instagram me emrin “Maldivet e Evropës”.

Megjithatë, The Times nënvizon se në bregdetin shqiptar nuk ka vetëm det dhe rërë, por edhe një natyrë të pacënuar dhe trashëgimi historike magjepsëse. Për udhëtarët e shtigjeve ofrohen guida të posaçme duke bërë mjaft të lehtë udhëtimin.

Gazeta britanike përshkruan natyrën unike të fshatrave të jugut, por edhe mikpritjen e njerëzve për çdo të huaj që kalon. Të veçanta për ta mbeten ushqimet tradicionale.

“Një peizazh kaq i thyer aq afër plazheve ndihej shumë ndryshe nga ajo që kisha përjetuar në pjesë të tjera të Mesdheut” – e mbyll rrëfimin e saj gazetarja Mariana Hunt duke nënvizuar se eksperienca të tilla nuk mund t’i përshkruajë asnjë foto në Instagram.

Tv Klan