Avni_MajallariArrestohet një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje. Avni Majallari 52-vjeç, lindur e banues në Tiranë, u arrestua rreth orës 00:15, në rrugën “Ibrahim Brahja” në Tiranë nga Sektori i Operacioneve Speciale dhe Kërkimit.

Ndalimi i tij u bë sepse Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin datë 11.01.2001, e ka dënuar me “Burgim të përjetshëm”, për veprën penale të “Vrasjes me paramendim” e kryer në bashkëpunim.

Në vitin 2000, Majallari ka vrarë pas një konflikti me armë zjarri, shtetasit Armando Nelaj dhe Ilir Gjuzi, në segmentin rrugor Tiranë-Dajt.

Gjatë momentit të kapjes, shtetasi Avni Majallari mbante në dorë një pistoletë tip “TT” dhe pas kontrollit të imtësishëm të banesës, ju gjet një automatik kallashnikov; një pistoletë tip “Cervena Zastava” si dhe një sasi e konsiderueshmë fishekësh e municionesh.

Materialet për të kërkuarin do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Ndërkaq policia e Tiranës përgjatë 24 orëve të fundit ka vënë në pranga edhe 5 shtetas të tjerë të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.