Ndryshon masa në detyrim paraqitje për ish-kreun e Kadastrës së Vlorës

Kryebashkiaku në detyrë i Himarës, Jorgo Goro do të vijojë të qëndrojë në qeli. Lidhur me akuzat e shpërdorimit të detyrës Gjykata e Posaçme vendosi të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg”.

Togat e zeza vendosën të ndryshojnë masën vetëm për Bilbil Aliajn, ish-drejtor i ASHK Drejtoria Vendore Vlorë, ku nga “arrest në shtëpi”, u vendos të lihet në masën “detyrim paraqitje”.  Ndaj tij rëndon akuzat e shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim.

Gjykata e Posaçme vendosi “arrest në shtëpi” për ish-juristin Vezir Gjikoka dhe Jerasimo Bashin, ish-drejtor i Drejtorisë dhe menaxhimit të Tokës, në Bashkinë e Himarës i cili ndodhet në kërkim.

Gjatë seancës gjyqësore kryebashkiaku në detyrë i Himarës, Goro, përmes avokatit të tij Sokol Hazizaj, mohoi akuzat. Ai pretendoi se veprimet e tij kanë qenë konform ligjit dhe se SPAK ka ngritur akuzë vetëm mbi shkresa përcjellëse në përputhje me funksionin.

Prokuroria e Posaçme e akuzon kryebashkiakun në detyrë të Himarës, për shpërdorim detyre në dy raste. Në rastin e parë, sipas SPAK, Goro bashkë me drejtorin e Mbrojtjes dhe Menaxhimit te të Tokës në Bashki, Jerasimo Bashi, ky i fundit me masë “arrest shtëpie”, kanë përcjell te institucione të tjera dokumentet të falsifikuara për një pronë mbi 5 500 metër katrorë në Dhërmi, pa kryer verifikime, duke çuar në regjistrimin e pronës shtet në favor të privatit.

Edhe në rastin e dytë, të dy ata referuar Prokurorisë, kanë zhvendosur në terren një sipërfaqe tokë bujqësore mbi 5 mije metër katrore, duke ja mbivendosur atë një pasurie tjetër në pronësi të shtetit. Më pas, kjo pronë është shitur te investitoret  duke u dhënë edhe një leje ndërtimi për një kompleks turistik.

Klan News