Italia shkëlqen edhe ndaj Izraelit. Axurrët zgjeruan rekordin e ndeshjeve pa humbje kundër këtij kundërshtari, për të koleksionuar fitoren e 5-të në gjashtë takimet e fundit. Një triumf tepër i merituar për skuadrën e Luçiano Spaletit, i cili duket se ka gjetur rrugën e suksesit në drejtimin e italianëve.

Për herë të parë në historinë e saj, 5 lojtarë ishin titullarë nën moshën 24 vjeç, duke dhuruar emocione në fitoren 2-1. Italia shënoi fitoren e 7-të në 13 ndeshjet e mëparshme në fazën e grupeve të Ligës së Kombeve.

Fratezi zhbllokoi takimin pas 38 minutash, duke e devijuar me gjoks krosimin e hedhur nga DiMarko. Mesfushori i Interit ndërtoi aksionin për golin e dytë të Italisë, me autor Kean. Sulmuesi e kishte të lehtë për të tundur rrjetën për të goditur saktë topin e kthyer nga portieri.

Izraeli tentoi t’i ndryshojë udhë fatit të takimit, gjithsesi goli në minutën e fundit të kohës së rregullt nuk prishi llogaritë e Italisë. Pas dy takimeve të para, italianët kanë hipotekuar vendin e parë të grupit me pikë të plota.

Franca harron humbjen me Italinë. Gjelat fituan 2-0 kundër Belgjikës për të marrë fitoren dhe rikthyer shpresat për triumfin në grupin A2. Me yje si Grizman e Mbape që u hodhën në fushë nga stoli, ekipi i Deshamp dominoi mbi “djajtë e kuq” për të fituar 3 pikët. Dembele ishte ai që mori përdore fatin e Francës.

Fillimisht, sulmuesi i Pari Së Zhërme shërbeu për shokun e skuadrës, ndërsa më pas ishte ai që vulosi shifrat përfundimtare në 2-0. Fitore që e ngjit Francën në vendin e dytë me 3 pikë, për t’u barazuar me Belgjikën. Tashmë fokusi i dy kombëtareve do të zhvendoset te lufta për të marrë fronin e Italisë kryesuese.

Klan News