Ndërsa Parlamenti pritet të votojë të hënën në lidhje me imunitetin e ish-Ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, kryeparlamentarja Jozefina Topalli, ka deklaruar, se shpreson që kjo të jetë hera e fundit që një kërkesë e tillë të votohet në seancë plenare. Që nga Velipoja ku mori pjesë në hapjen e një sezonit turistik, Topalli tha, se parlamenti duhet ta miratonte nismën e ndërmarrë nga mazhoranca para 3 vitesh për kufizimin e imunitetit të deputetëve, gjë që mund t’i jepte mundësinë prokurorisë për të hetuar parlamentarët pa paraqitur kërkesa të tilla.

Jozefina Topalli: “Kjo besoj se do jetë hera e fundit dhe duke uru që ne të kalojmë ligjin për kufizimin e imunitetit dhe në këtë mënyrë asnjëri prej deputetëve nuk do jetë i mbrojtur nga një mburojë për të cilën s’ka nevojë. Ai duhet të jetë i lirë, transparencë si të gjithë qytetarët e tjerë dhe unë uroj që ligji për kufizimin e imunitetit është zgjidhja më e mirë. Të gjithë deputetët jo vetëm mazhoranca edhe opozita uroj që të bashkohet në këtë iniciativë”.

Këshilli i Imunitetit dhe Rregullores, pritet që të hartojë të hënën paradite raportin përfundimtarë për imunitetin parlamentar të Mediut, raport që do të paraqitet në seancën plenare të pasdites për votim./tvklan.al

Gazetare: Simon Shkreli