Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurimit arrest në burg pa afat për Enea Sulejmanin ndërsa për 3 të tjerët është vendosur arrest në burg me afat deri në 16 Maj.

Gazetarja Glidona Daci raporton se në burg me afat janë lënë Shkëlqim Ostreni, Igli Begaj dhe efektivi i operacionales Ervis Shkurta.

Enea Sulejmani nuk ishte i pranishëm në seancë, pasi po merr ndihmën mjekësore, por u përfaqësua nga avokati i tij në seancë. Përballë gjyqtarit të çështjes, Shkëlqim Ostreni dhe Igli Begaj kanë kërkuar nga gjykata që të mos marrë parasysh dëshmitë paraprake pasi janë dhënë pa praninë e avokatit dhe nën trysni. Ata kanë theksuar se nuk kanë lidhje me kokainën që ishte në makinën e Sulejmanit.

Po të njëjtat burime bëjnë me dije se polici Ervis Shkurta ka mohuar përfshirjen në ngjarje duke pretenduar se nuk është ai poseduesi i numrit britanik që kanë pretenduar të dyshuarit e tjerë. Po ashtu ai ka kërkuar një masë më të butë sigurie edhe për shkak të problemeve shëndetësore që ka i biri.

Burime bëjnë me dije për gazetaren Glidona Daci se nga raportet e vëzhgimit nuk del që të përmendet emri i policit Shkurta. Ndërkohë prokuroria ka kërkuar që t’i lërë në qeli duke argumentuar se ka prova të mjaftueshme për të vërtetuar dyshimin e arsyeshëm.

Gjatë hetimit dy mujor janë përdorur edhe metoda speciale të hetimit, si blerjet e stimuluara dhe përgjimet.

AMP ka pasur dijeni të plotë për shitjen e 1 kilogramëve kokainë mbrëmjen e 21 marsit në kryeqytet. Enea Sulejmanaj po lëvizte me makinë bashkë me Shkëlqim Ostrenin dhe Igli Begajn kur policia i bëri thirrje të ndalonin. Por Sulejmanaj nuk u bind dhe tentoi të largohej duke bërë manovra të rrezikshme. Ai u neutralizua nga efektivët që qëlluan edhe me armë zjarri. AMP thotë se efektivi i Operacionales, Ervis Shkurta kishte dijeni për shitjen e drogës, pasi ka lidhje të ngushta shoqërore me një nga personat e ndaluar më herët. Hetimet treguan që efektivi i Operacionales ka qenë pjesë aktive e sigurimit të kushteve për tregtimin e lëndës narkotike të llojit kokainë.

Klan News