Kërkimet e policisë, rojes bregdetare shqiptare dhe asaj italiane nuk kanë bërë të mundur gjetjen e ndonjë personi tjetër të humbur në det. Sipas njoftimit të fundit të Ministrisë së Rendit, kërkimet kanë rinisur në orët e para të mëngjesit. Ka ende njerëz që nuk kanë gjetur as të vdekur të afërmit, të cilët mendohet të jenë nisur në të njëjtën ditë me gomone. Kërkimet në det vazhdojnë, ndërkohë nga policia nuk ka ndonjë njoftim për të arrestuar të tjerë, për tragjedinë e 9 janarit. Pas deklarimit të Ministrisë së Rendit se do të përgjigjen për vrasje në bashkëpunim të gjithë të implikuarti në këtë ngjarje, në pranga janë vetëm dy skafistët, Artur Rrokaj dhe Albert Alliu, si dhe nëndrejtori i portit të Vlorës, Gjergji Robaj. Ndaj shefit të antiterrorit në Shkodër, Bardhyl Rrokaj, babait të njërit prej skafistëve dhe Ilir Rrokajt, shefit të qarkullimit rrugor të Vlorës dhe xhaxhait të skafistit, është marrë vetëm masë administrative, përjashtim nga radhët e policisë. Prokuroria e Vlorës tha se është ende në fazën e verifikimit nëse këta persona janë përfshirë në ngjarje. Burime në Ministrinë e Rendit konfirmuan se mund të merren të pandehur 4 punonjësit e policisë së Dhërmiut./tvklan.al