Thomas Crooks, personi i armatosur që tentoi të vriste ish-presidentin amerikan Donald Trump më 13 korrik, kaloi muaj duke gjurmuar datën dhe kohën kur do të mbahej një tubim përpara se të shkonte në tubimin e kandidatit republikan për president në Pensilvani.

Kevin Rojek, zyrtari më i lartë i FBI-së në Pensilvaninë perëndimore, tha se FBI nuk ka qenë ende në gjendje të përcaktojë motivin e Crooks në përpjekjen për të vrarë Trump, pasi nga kompjuteri i tij personal nuk tregoi nëse ai ishte radikal i majtë ose i djathtë.

Zyrtarët e FBI-së kanë bërë të ditur se Thomas Crooks, 20 vjeç, kërkoi më shumë se 60 herë për informacion në lidhje me kandidatin republikan për president dhe rivalin e tij të atëhershëm, presidentin demokrat Joe Biden, përpara se të regjistrohej për mitingun e Trump në fillim të korrikut. Ai gjithashtu kërkoi për datat e konventave presidenciale republikane dhe demokrate para se të kryente sulmin.

“Ne pamë … një përpjekje të qëndrueshme dhe të detajuar për të planifikuar një sulm, që do të thotë se ai shikoi çdo numër ngjarjesh ose objektivash”, tha Kevin Rojek, zyrtari më i lartë i FBI-së.

Përpjekja për vrasje nxiti pyetje se si Crooks ishte në gjendje të ngjitej në një ndërtesë aty pranë dhe të qëllonte tetë herë në drejtim të ish-presidentit përpara se të vritej nga një gjuajtës i Shërbimit Sekret. Disa hetime të kongresit dhe qeverisë po shqyrtojnë masat e sigurisë gjatë tubimit që mbajti kandidati republikan Donald Trump.

Mes të tjerash 20-vjeçari i armatosur sipas zyrtarëve të FBI-së ishte i vendosur të kryente një sulm, por zgjodhi tubimin e kandidatit republikan për president, pasi mesa duket krijonte mundësinë për ta realizuar një sulm të tillë.

Zyrtarë të lartë të FBI-së e bënë të ditur këtë vlerësim për autorin Thomas Matthew Crooks duke thënë se ky përfundim mbështetet në pothuajse 1,000 intervista dhe analiza të zgjeruara të kërkimeve ndaj tij në internet dhe informacioneve në media sociale.

Klan News