Policia arreston edhe kushëririn e autorit të krimit

20-vjeçari Grei Bihuci, i cili mbeti i vrarë të hënën në qendër të qytetit të Fierit, nuk kishte lidhje me konfliktin mes të rinjve. Sherri mes tyre ka nisur në rrjetin social Snap Çat para disa ditësh.

Dy kushërinjtë Florjan dhe Klajdi Muka kishin lënë takim me Olsi Serjanin për tu sqaruar. Bashkë me këtë të fundit ishte dhe Grei Bihuci. Në sherr e sipër 19-vjeçari Florjan Muka ka goditur me thikë Olsi Serjanin. Në këto moment është futur për t’i ndarë Grei Bihuci, por dhe ai u godit me thikë. I riu ndërroi jetë pak minuta më vonë në spital, ndërsa shoku i tij ndodhet jashtë rrezikut.

Në vendin ku ndodhi vrasja këtë paradite shkuan kolegët e Greit, i cili pas shkolle, punonte në një lokal. Ata vendosën lule dhe ndezën qirinjtë pranë fotos së të riut.

“Një nga djemtë më të mirë që ne kishim në staf. Na vjen shumë keq që u ndodh në vendin e gabuar në momenti e gabuar sepse nuk ishte djalë që mund të ishte negativ apo të sillte probleme si në punë ku ne e kishim, apo në familje ne nuk kemi dëgjuar ndonjë fjalë që të kishte ndonjë sjellje të keqe apo diçka që mund ta sillte në përfundimin që Grei pati.”

“Djalë i dashur me të gjithë ne. Nuk ishte thjeshtë shoku jonë, kolegu jonë, por ishte vëllai jonë. Dinte të thërristë vetëm motër. Ka mbajtur fëmijët e mi në krahë. Më vjen shumë keq. Nuk ka për tu harruar kurrë. Më vjen shumë keq për nënën e tij për motrat e tij. Grei ke për të mbetur gjithmonë në zemrat tona.”

“Kjo që ka ndodhur na ka shokuar të gjithëve si pjesë e stafit ku Grei punonte. Ishte një djalë i përkushtuar, një djalë i dashur. Thirrja që dua të bëj përtej ngushëllimeve është që të mundohet rinia e sotme që të qëndrojë me këmbë në tokë që të mos të përfundojë si Grei!”

20-vjeçari, Grei Bihuci ishte nxënës i shkollës së mesme profesionale “Petro Sota” dhe studionte për informatikë. Pasditeve punonte kamerier në bar-pasticeri në Bulevardin “Jakov Xoxa”, pranë vendit ku ndodhi krimi.

Pak minuta pas ngjarjes policia arrestoi autorin e krimit ndërsa këtë të martë njoftoi se ka prangosur djalin e xhaxhait të tij, 17-vjeçarin Klajdi Muka si bashkëpuntor në krim.

Klan News