Kështu duket uragani “Milton” i parë nga Stacioni Hapësinor Ndërkombëtar. Ai po zgjerohet në përmasa ndërsa kaloi gadishullin Jukatan të Meksikës dhe i drejtohet bregut të Gjirit të Floridës, ku mbi 1 milion vetë janë urdhëruar të evakuohen përpara mbërritjes së stuhisë.

Presidenti i ShBA Joe Biden anuloi vizitat zyrtare në Europë dhe Afrikë dhe po qëndron në detyrë ndërsa Florida pritet të goditet nga uragani “Milton”. Ai u bëri thirrje atyre që janë urdhëruar të largohen që t’u bindet urdhrave të evakuimit pasi kjo është çështje jete dhe vdekje.

“Kjo mund të jetë stuhia më e keqe që godet Floridën në mbi një shekull,” tha Biden.

Ai u bëri thirrje kompanive ajrore të lehtësojnë evakuimet dhe të mos rritin çmimet.

Bregdeti perëndimor me popullsi të dendur i Floridës, ende i pa marrë veten nga pasojat e uraganit shkatërrues Helene, përgatitet për uraganin e radhës.

Uragani “Milton” zbarkoi në bregun meksikan të Karaibeve të martën, duke sjellë erëra të forta që rrëzuan pemë dhe linjat e energjisë elektrike.

Me erëra me shpejtësi maksimale prej 241 km/h, “Milton” u zvogëlua nga një uragan i kategorisë 5 në një uragan të kategorisë 4 sipas Qendrës Kombëtare të Uraganeve.

Parkimi i Walmart-it në Orlando të Floridës, ishte plot pasi banorët blenë furnizime të minutës së fundit përpara mbërritjes së uraganit.

“Ndërprerjet e energjisë elektrike. Kjo është frika më e madhe tani,” tha James Robinson.

Në bregun perëndimor të Floridës, banorët përgatiten të mbrojnë shtëpitë nga stuhia. Ndërsa autostradat që çojnë jashtë zonës së Gjirit Tampa janë plot me banorë që evakuohen, shumë të tjerë që jetojnë në brendësi, larg zonave të evakuimit po blejnë dru dhe furnizime të nevojshme për t’i bërë ballë stuhisë.

Klan News