Florida në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të goditet nga një uragan i fuqishëm i kategorisë 4. Autoritetet kanë dhënë alarmin për banorët e zonës që do të preket nga uragani “Milton” të largohen nga banesat e tyre.

Presidenti amerikan Joe Biden u ka bërë gjithashtu thirrje banorëve që të evakuohen dhe se duhet të largohen sa më parë.

“Jam informuar nga drejtuesit e lartë të administratës, dhe ne po përgatitemi për uraganin Milton, që mund të jetë një nga stuhitë më të këqija në 100 vitet e fundit në Florida. Nëse jeni në zonat ku duhet të evakuoheni, largohuni tani. Është çështje jetë e vdekje”, tha Presidenti Biden në një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë.

Stuhia “Milton” u forcua në një uragan të kategorisë 4 me erëra që kapin shpejtësi mbi 200 kilometra në orë.

Meteorologët e konsiderojnë situatën tepër serioze dhe që do të shkaktojë dëme të mëdha.

/tvklan.al