Këto filmime tregojnë momentet kur vorbullat gjigante të uraganit Milton mbërrijnë në brigjet perëndimore të Floridas. Erërat e fuqishme goditën shtetin juglindor amerikan me një shpejtësi marramendëse prej 250 kilometrash në orë, duke shkaktuar edhe përmbytje masive dhe dëme të shumta materiale. Fuqia e tyre dallohet edhe në këto filmime të kryera nga banorët vendas. 

Autoritetet lokale flasin për disa viktima, por numri i tyre mbetet ende i paqartë, pasi edhe pse fuqia e uraganit është reduktuar nga 4 në 2, ekipet e emergjencës e kanë të vështirë të arrijnë në shumë nga zonat e goditura. Deri më tani dihet se gati 3 milionë shtëpi e biznese janë pa energji elektrike nga dëmtimi i linjave të energjisë elektrike.

Urdhër evakuimi kanë marrë 5.9 milionë persona, por është ende e paqartë sa prej tyre janë larguar nga banesat. Uragani përshkoi ndër të tjerë edhe qytetin e Tampas me 400 mijë banorë. Erërat e fuqishme shkatërruan dhe çatinë e këtij stadiumi në Saint Pitersburg. Banorët thonë se kurrë nuk kishin parë një fenomen të tillë të motit në jetën e tyre. Ky është uragani i dytë që godet juglindjen e Shteteve të Bashkuara, pas uraganit Helene në fund të Shtatorit, që i mori jetën 232 personave.

Tv Klan