Kryetarja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj u takua me banorë të komunës Pajovë të Peqinit. Gjatë prezantimit të programit qeverisës të forcës që ajo përfaqëson Leskaj u shpreh se politika e socialistëve do të fokusohet tek problemet reale që kanë qytetarët. Sipas saj dështimet e qeverisë në luftën kundër varfërisë dhe papunësisë nuk mund t’i japin kësaj mazhorance të drejtën morale për të vijuar qeverisjen.

Valentina Leskaj: “Shqipëria sot është më e varfër se 4 vjet më përpara sepse juve e dini që çmimet janë shumë më të larta se sa kanë qenë. Juve e dini që kostoja e shëndetit sot është më e lartë. Ashtu si kostoja për mbjellur tokën është më e lartë, ashtu si kostoja e arsimit është më e lartë. E të gjitha këto kosto më të larta janë natyrisht elemente që varfërojnë , që rëndojnë jetën e të gjithëve ne.”

Kryetarja e grupit parlamentar socialist tha se Shqipëria është prekur nga kriza pavarësisht se një fakt të tillë qeveria mundohet ta fshehë..

Valentina Leskaj: “Kjo qeveri që po përpiqet ti mbulojë skandalet, kjo qeveri në vend që të adresojë krizën ekonomike përpiqet të fshehë krizën. Kriza nuk adresohet, nuk shërohet duke e fshehur.”

Duke u shprehur e bindur në fitoren e zgjedhjeve të 28 qershorit Leskaj tha se , alternativa e opozitës është një garanci për të nxjerrë vendin nga gjendja ku është futur./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro