Kjo e premte shënon ditën e dytë të bisedimeve për një armëpushim në Rripin e Gazës. Shpresat për arritjen e rezultateve mbeten, ndonëse Izraeli dhe Hamasi u qëndrojnë me këmbëngulje kushteve të tyre.

Në ditën e parë, pala izraelite e përfaqësuar nga krerët e tre agjencive kryesore të zbulimit, paraqiti listën me emrat e 33 pengjeve që kërkojnë që Hamasi t’i lirojë.

Hamasi që nuk ka dërguar përfaqësues, por është në kontakt me negociatorët organizatorë të bisedimeve, kryeministrin e Katarit dhe ministrin e jashtëm të Egjiptit, ka si kusht kryesor tërheqjen e plotë të ushtrisë izraelite nga Rripi i Gazës, përpara se të pranojë një armëpushim.

Kundërkusht i qeverisë izraelite është dëbimi i plotë i Hamasit nga Rripi i Gazës. Uashingtoni, ndërmjetësuesi i tretë i negociatave përmes shefit të CIA-s Uilliam Bërns është optimist për arritjen e një marrëveshjeje, ndonëse shenjat janë të zbehta.

Në Haifa dhe Tel Aviv, qindra familjarë të pengjeve që ende mbeten në duar të Hamasit protestuan kundër qeverisë, duke kërkuar të bëjë çmos për lirimin e tyre.

Tv Klan